Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministri i pritshëm i koalicionit të djathtë, Sali Berisha, deklaroi sot se e ka gati kabinetin e ri qeveritar dhe se marrëveshjet me aleatët po nënshkruhen njëra pas tjetrës. Ai i bëri këto komente pas një takimi me Presidentin Alfred Moisiu.
“Qeveria tashmë është certifikuar. Aktet formale janë akte formale. Mbështetja është shumë e madhe dhe me tendenca zgjerimi të mëtejshëm”- tha zoti Berisha.
Kandidati për kryeministër i koalicionit të djathtë tha se i kishte shprehur shqetësimin Presidentit Moisiu për tejzgjatjen e afateve në ndërrimin e pushtetit, kohë kjo kur po ndodhin mjaft dëme financiare dhe administrative.
Zoti Berisha tha se socialistët në ikje e sipër nga pushteti po shpërdorojnë qindra mijëra dollarë nga buxheti i shtetit. Kjo periudhë pas zgjedhjeve është përdorur nga socialistët për të fshehur gjurmët e korrupsionit, tha ai.
“Kjo kohë është përdorur për të përvetësuar dhe privatizuar objekte të shumta për qeveritarët dhe klanet e tyre; është përdorur për të zhdukur tonelata me dosje të mëkateve të mëdha të këtyre qeveritarëve; është përdorur për të marrë vendime qeverie në kundërshtim me ligjin e buxhetit të shtetit” – tha zoti Berisha.
Ai shtoi se kishte diskutuar me Presidentin Moisiu edhe për thirrjen sa më shpejt të seancës së parë të parlamentit të ri. Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar të bëjë certifikimin e mandateve të deputetëve fitues dhe përcjellë rezultatet paraprake tek Presidenti i Republikës.
Një takim me Presidentin zhvilloi sot edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili iu përmbajt qëndrimit të njohur, sipas të cilit, parlamenti nuk mund të mblidhet pa mbaruar procesi zgjedhor. Sipas tij, rivalët e PD duhet të shfaqin vullnetin për të zbatuar ligjin dhe standartet ndërkombëtare gjatë përsëritjes së zgjedhjeve në 3 zona në fund të kësaj jave në Shkodër, Lushnje dhe Gjirokastër.
Nëse edhe për këto 3 zona të 21 gushtit do të ketë përsëri ankesa, kjo do të sillte edhe disa javë të tjera vonesa në konstituimin e institucioneve. Zvarritjet e këtyre zgjedhjeve me vetëm një raund nga 3 korriku deri më 21 gusht me një mori ankesash të kandidatëve, e tejzgjatën procesin zgjedhor akoma më shumë edhe se zgjedhjet e kaluara që u ngatërruan në labirintet e 4-5 raundeve zgjedhore, dhe kur shumë nga mandatat e deputetëve i ndau Gjykata Kushtetuese.