Nënpresidenti Cheney thotë se përpjekjet e ndihmave kanë përparuar

Nënpresidenti amerikan Dick Cheney tha se përpjekjet e rimëkëmbjes nga uragani kanë përparuar ndjeshëm në shtetin e Misisipit, ku uragani Katrina shkatërroi javën e kaluar mijëra shtëpi. Nënpresidenti u takua sot me zyrtarë dhe foli me banorët në qytetin Gulfport.

Më pas zoti Cheney shkoi në Nju Orlins ku trupat e policisë dhe gardës kombëtare shkojnë shtëpi më shtëpi, duke i bërë trysni banorëve të zbatojnë urdhërin për evakuim të detyruar.

Disa mijëra banorë nuk e kishin përfillur urdhërin megjithë paralajmërimet për ujrat e ndotura dhe zjarreve që fillojnë papritur anembanë qytetit.

Numri zyrtar i atyre që kanë humbur jetën nga Katrina është nën 300, në shtetet e Luizianës dhe Misisipit, por autoritetet parashikojnë që ky numër të rritet, ndërsa niveli i ujrave të përmbytjeve në New Orleans bie dhe mund të gjenden trupa të tjera.

Një zyrtar shëndetësie në shtetin e Luizianës tha se Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave ka 25 mijë çanta për të vendosur trupat pa jetë në se do të jenë të nevojshme.

Ndërkohë një autokolonë ushtarake meksikane prej 200 personash ka shkuar në Teksas për të dhënë kontributin e vet në përpjekjet e ndihmave. Teksasi është një nga disa shtete ku autoritetet po punojnë për të strehuar dhe ushqyer qindra mijëra të evakuuar nga uragani.