Berisha: SHISH nën Ministrinë e Brendëshme për të luftuar krimin e organizuar

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju e filluat mandatin tuaj si kryeministër me vizitën në OKB-ë, ku keni patur rastin gjatë këtyre ditëve të takoheni me një sërë udhëheqësish. Çfarë ndjenja përjetoni ju sot, kur pas një periudhe 8 vjeçare po riktheheni në arenën ndërkombëtare si udhëheqës i Shqipërisë?

Sali Berisha: Unë mendoj se në këtë mbledhje të OKB-së, në të gjitha takimet që kam pasur, kam gjetur një mirëseardhje të madhe, jam ftuar nga homologët e mi për të vizituar vendet e tyre dhe kam gjetur gatishmëri të plotë për të ndihmuar Shqipërinë. Nga këto takim ndiej se punët e filluara vite më parë do të përfundojnë me sukses.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, një nga çështjet e debatuara për OKB-në gjatë kohëve të fundit ka qënë ajo e reformimit të organizatës. Ndaj Shqipërisë ka patur kërkesa për mbështetje nga Gjermania dhe Italia. Ministri i jashtëm italian ka thënë se i ka kërkuar edhe qeverisë tuaj, mbështetje për variantin e propozuar prej tyre. Kjo çështje u ngrit edhe në takimin që patët ju me kryeminsitrin Berluskoni. Cili është qëndrimi juaj?

Sali Berisha: Kjo çështje nuk u ngrit nga kryeministri Berluskoni në takimin e tij në asnjë nga pikat e axhendës që diskutuam. Kryeministri Berluskoni më uroi për fitoren dhe më ftoi të vizitoja Italinë. Diskutuam veçanërisht për shtimin e bizneseve dhe të investimeve italiane në Shqipëri, forcimin e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe në mënyrë të veçantë i kërkova që qeveria italiane të mund të lehtësojë të gjithë investitorët italianë dhe investitorët me origjinë shqiptare në Itali që të rikthehen të investojnë në Shqipëri, pra të ketë një kuadër lehtësues për to. Këto çështje u diskutuan në takim. Nuk është diskutuar në asnjë moment për reformën e Këshillit të Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, një nga debatet që ka mbizotëruar këto ditë shtypin në Shqipëri, ka qënë propozimi juaj për kalimin e SHISH-it ne Ministrinë e Brendshme. Presidenti Moisiu e priti me rezerva një propozim të tillë. Shqetësimi kryesor që është ngritur, qoftë edhe nga ata që e kanë përkrahur këtë ide, është politizimi i këtij institucioni që në kohën e Gazidedes. Argumenti që keni dhënë ju për këtë ndryshim është nevoja për luftën kundër krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit. Në këtë konktekst, përse e shikoni të domosdoshëm këtë ndryshëm?

Sali Berisha: Së pari dua të theksoj se krijimi i Ministrisë së Brendshme përbën një risi në ndërtimin e qeverisë. Nëse i hidhet një vështrim të gjitha ministrive të brendshme të republikave parlamentare dhe monarkive konstitucionale të Evropës, anëtare të Bashkimit Evropian, tek të gjitha ato pa përjashtim, shërbimi informativ i brendshëm i vendit varet nga Ministria e Brendshme dhe në të gjitha këto, krimi i organizuar përbën një objektiv madhor. Së dyti, me statusin aktual të Shërbimit Informativ Shqiptar dhe policisë shqiptare, ndonëse ligji i ngarkon të dy këto institucione për luftën kundër krimit të organizuar, ky i fundit ka marrë në Shqipëri përmasa të lemeritshme, është bërë i frikshëm për vendin dhe Evropën. Së treti, unë u kam premtuar shqiptarëve luftën kundër këtij krimi dhe të gjitha reformat e nevojshme, kështu që ky nuk është propozim, por është tashmë një vendim programor, i cili do të vihet në jetë. Për sa i përket depolitizimit, është absurde të mendohet se një shërbim që varet direkt nga kryeministri dhe që është tërësisht nën pushtetin e tij të jetë më i depolitizuar sesa një shërbim që është nën Ministrinë e Brendshme ku është e vendosur qeverisja vendore dhe policia. Atëherë sipas kësaj logjike edhe policia e shtetit qenka organ i politizuar, sepse varet nga Ministria e Brendshme. Asnjë nga argumentet nuk qëndron. Në republikat parlamentare dhe monarkitë konstitucionale, shërbimi informativ i brendshëm varet nga Ministria e Brendshme. Në republikat presidenciale mund të ketë forma të tjera varësie dhe organizimi, por edhe në republikat presidenciale si për shembull në SHBA, FBI-ja është pjesë e ekzekutivit.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, këto ditë qeveria juaj vendosi pezullimin e vendimit të qeverisë së mëparshme për universitetet e Beratit dhe Fierit. Për këtë ju po kritikoheni nga opozita për një premtim të pambajtur. Si e shikoni ju zgjidhjen e problemit të arësimit?

Sali Berisha: Ne nuk kemi bërë asnjë premtim se do të hapim universitete të reja në këtë vit shkollor. Përkundrazi, jemi zotuar se gjatë njëqind ditëve të para do të marrim vendimet për hapjen gjatë vitit të ardhshëm të universitetit të Durrësit. Ne mendojmë se vendimi që mori qeveria e mëparshme ishte një vendim i papërgjegjshëm, një përqeshje dhe cinizëm ekstrem ndaj arsimit dhe botës universitare, i cili u kundërshtua nga vetë bota akademike universitare. Ky vendim u bë vetëm me qëllim që, sipas një vendimi të brendshëm të tyre, të tallin dhe të denigrojnë sa më shumë programin e atyre që vijnë pas nesh. Universitetet, e kam thënë dhe e theksoj edhe një herë, nuk janë as salla bingoje dhe as kotece, por janë qendra shumë serioze të edukimit të rinisë shqiptare dhe formimit të tyre. Ne, gjatë gjithë këtij viti, do të bëjmë përpjekjet më serioze që vitin e ardhshëm të hapet universiteti i Durrësit. Unë garantoj bashkinë e Beratit dhe të Fierit se do të studioj me seriozitetin më të madh hapjen e mundshme të filialeve, por kjo do të bëhet duke negociuar, duke bashkëpunuar dhe ndihmuar univeristetet përkatëse, qoftë universitetin e Vlorës, atë Bujqësor, të Tiranës etj. Pra në qoftë se ne mendojmë se mund të emërojmë një rektor dhe të zbrazim një gjimnaz për të hapur një universitet kjo është jashtë çdo lloj sensi dhe koncepti për universitetin.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, tema kryesore e fushatës tuaj elektorale ishte lufta kundër korrupsionit. Një prej problemeve krysore që kanë ngritur vëzhgues të ndryshëm për Shqipërinë, që ka lidhje me korrupsionin, është financimi i partive politike. Çfarë keni parashikuar për këtë? A pritet të miratohen ligje më të forta dhe të zbatueshme për transparencën e financave dhe financimit të partive gjatë fushatave elektorale?

Sali Berisha: Jam plotësisht i vendosur që të miratohen ligjet më transparente dhe të përcaktohet një kuadër i tërë ligjor i cili të bëjë transparencën e plotë të financimeve si të atyre publike dhe të donacioneve. Përkundrazi e konsideroj të domosdoshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, meqë ju do të mereni me fushatën kundër korrupsionit, ku i shikoni vështirësitë kryesore në këtë përpjekje?

Sali Berisha: Vështirësitë nuk janë të vogla. Dua të theksoj se sot Shqipëria ka treguesin e rryshfetit katër herë më të lartë sesa vendi që e ka më të lartin në Evropë që është Rusia, ka evazionin më të madh fiskal, kështu që në këto dy drejtime, vështirësitë do të jenë enorme. Për këtë po bashkëpunojmë ngushtë dhe këtu pata edhe një takim me drejtorin e USAD-it, zotin Natsios ku diskutuam gjerësisht mbi ndihmën që ky institucion ka dhënë dhe do të na japë në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal.