Presidenti Bush e cilësoi si hap pozitiv angazhimin e Koresë së Veriut

Presidenti Bush e cilësoi si hap pozitiv angazhimin e Koresë së Veriut për të hequr dorë nga armët e saj bërthamore, por shtoi se ka rëndësi vendimtare verifikimi i përmbushjes së këtij angazhimi të Phenianit.

Presidenti tha në një konferencë shtypi në Uashington se Koreja e Veriut duhet të kuptojë se Shtetet e Bashkuara janë serioze në angazhimin e tyre për zbatimin e marrëveshjes gjashtë-palëshe të arritur sot në Pekin.

Koreja e Veriut tha se do të lejojë inspektime ndërkombëtare në objektet e saj bërthamore në shkëmbim për ndihma me energji, bashkëpunim ekonomik dhe garanci sigurimi. Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakort të respektojnë sovranitetin e njëra-tjetrës dhe të marrin hapa për normalizimin e marrëdhënieve.

Deklarata thekson gjithashtu se Koreja e Veriut ka të drejtën të përdorë energji bërthamore për qëllime paqësore. Palët kanë rënë dakort të diskutojnë, në një kohë të përshtatshme të paspecifikuar, parametrat për një reaktor koreano-verior me ujë të lehtë për përdorim civil. Të gjashtë palët e përfshira në bisedime, dy Koretë, Kina, Rusia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, kanë rënë dakort të zhvillojnë një takim tjetër në nëntor.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Mohamed el-Baradei, ashtu si shumë udhëheqës botërorë, mirëpriti vendimin e Koresë së Veriut për të hequr dorë nga programet e saj të armëve bërthamore. Duke folur sot në Vienë, zoti el-Baradei tha se mezi pret ta shikojë Penjanin të rradhitet mes vendeve që zbatojnë traktatin e mospërhapjes së armëve dhe të lejojë rikthimin e inspektorëve në vend.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Havier Solana e cilësoi vendimin e Koresë së Veriut si një hap të rëndësishëm drejt qëndrueshmërisë rajonale dhe globale.

Kryetari i delegacionit kinez në bisedime, Wu Dawei, tha se marrëveshja është arritja më e madhe që prej fillimit të bisedimeve 6-palëshe, por ai vuri në dukje se mbetet ende shumë punë për t’u bërë që të arrihen rezultate. Zyrtarë japonezë shfaqën shpresë se bashkëpunimi i Koresë së Veriut duhet të vërtetohet në mënyrë që të arrihet objektivi i decentralizimit të gadishullit korean.

Marrëveshja njeh të drejtën e Koresë së Veriut për një program bërthamor për qëllime paqësore në të ardhmen. Rusia është shprehur tashmë se është gati të ndërtojë një central bërthamor për Penjanin.