Koordinatori i OKB-së për ndihmat viziton zonat e shkatërruara nga tërmeti

Koordinatori i Kombeve të Bashkuara për ndihmat e emergjencës, Jan Egeland, tha se koha nuk pret më për shumë viktima të tërmetit masiv që rafshoi pjesë të Kashmirit pakistanez.

Ai u bëri thirrje agjencive të ndihmave që të përshpejtojnë punën në fshatrat e thella të Kashmirit. Zoti Egeland, që po viziton rajonet e goditura 6 ditë pas rënies së tërmetit, tha se ekziston një nevojë urgjente për të bashkërenduar punën e qindra organizatave të angazhuara në operacionin e ndihmave. Ai shprehu shqetësimin se lidhjet me fshatrat e vegjël në pjesën veri-perëndimore të Pakistanit janë ndërprerë si pasojë e rrugëve të bllokuara.

Zoti Egeland llogarit se më shumë se 2 milion njerëz kanë mbetur pa ushqime dhe në qiell të hapur nga tërmeti i së shtunës, për të cilin zyrtarët pakistanezë thonë se shkaktoi më shumë se 25 mijë të vrarë. Zyrtarët thonë se në 15 deri 20 përqind të zonës së prekur nga tërmeti nuk ka shkuar njeri për të llogaritur numrin e viktimave. Në Kashmirin indian, zyrtarët thonë se numri i të vdekurve ka kaluar shifrën e 1 mijë e 400 vetëve.// lk