Kina konfirmon rastet e para të gripit të shpendëve tek njerëzit

Kina konfirmoi raset e para të gripit të shpendëve tek njerëzit, kurse Indonezia bëri të ditur vdekjen e dy personave të tjerë nga virusi.

Në krahinën lindore Anhui të Kinës, zyrtarët thanë se një punonjëse 24 vjeçare pularie, ka vdekur nga gripi i shpendëve. Një djalë 9-vjeçar i prekur nga virusi në krahinën Hunan, është shëruar plotësisht.

Zyrtarë të shëndetësisë dyshojnë, por nuk mund të konfirmojnë, se virusi vdekjeprurës H5N1 mund të ketë qenë shkaku i vdekjes së motrës së 9 vjeçarit muajin e kaluar.

Ndërkohë, Ministria indoneziane e Shëndetësisë thotë se dy gra të reja, njëra 20 vjeç e tjetra 16, vdiqën javën e kaluar nga gripi i shpendëve, duke sjellë në 7 numrin e vdekjeve nga virusi në Indonezi. Njoftohet se të dyja viktimat, të cilat vdiqën në Xhakarta, të kenë pasur kontakt me pula të ngordhura.

Virusi H5N1 ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 60 vetëve në Azinë Lindore që nga viti 2003. Shkencëtarët shqetësohen se virusi mund të shndërrohet dhe të marrë një formë që kalohet nga një person tek tjetri.