Dy sulme me bombë në Bangladesh: Vriten 8 persona

Autoritetet në Bangladesh njoftojnë se 8 persona u vranë sot në sulme me bombë, në dy qytete të vendit. Gjatë shpërthimit jashtë ndërtesës së gjykatës në qytetin port të Chittagong, u vranë dy policë dhe një person i dyshuar si autor i sulmit vetëvrasës. Pesë persona u vranë në një kompleks ndërtesash në Gazipur, rreth 30 kilometra në veri të kryeqytetit Daka.

Gjatë sulmeve me bombë u plagosën më tepër se 60 vetë. Këto duket se janë pjesë e një serie sulmesh të kohëve të fundit, për të cilat është fajësuar një grup i jashtëligjshëm islamik, Jamat-ul-Mujahedin, që kërkon të imponojë ligjin strikt islamik në Bangladesh, me shumicën e popullsisë mylsimane.

Në fillim të muajit u vranë dy gjykatës në qytetin Xhalakathi. Juristët në mbarë Bangladeshin i bojkotuan gjykatat dhe organizuan sot protesta nëpër rrugë, duke i kërkuar qeverisë të marrë masa për t’i dhënë fund sulmeve.