Presidenti Bush parashton strategjinë për fitore në Irak

Presidenti Bush tha se forcat irakiane të sigurimit po marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi për të luftuar kundër kryengritësit. Por ai theksoi se nuk do të vendosë kufi kohorë për tërheqjen amerikane dhe shtoi se trupat do të qëndrojnë derisa irakianët të jenë plotësisht në gjendje të mbrojnë veten.

Presidenti Bush tha se lufta për një Irak të lirë është gjithnjë e më shumë në duart e irakianëve. Ata po mbrojnë demokracinë e tyre të re me kurajo dhe vendosmëri. Ata janë në luftë sot dhe do të jenë në luftën për liri nesër.

Pesidenti tha se me stërvitjen graduale të irakianëve dhe me provat e tyre për gadishmëri në luftime, prania e ushtrisë amerikane do të ndryshojë. Presidenti tha se kjo do të kërkojë kohë dhe durim por do të ndodhë. Ndërsa forcat irakiane fitojnë përvojë dhe procesi politik përparon, ne do të jemi në gjendje të pakësojmë nivelin e trupave në Irak pa humbur aftësinë tonë për të luftuar terrorizmin.

Por presidenti këmbënguli se nuk është dakord që të vendosen kufij kohorë arbitrarë për tërheqjen duke thënë se fitorja e përgjithshme në luftën kundër terrorizmit mbetet qëllimi kryesor. Ai tha se gjykimet politike nuk do të përcaktojnë vendimin e tij dhe u angazhua të veprojë në përputhje me rekomandimet e komandantëve në fushën e betejës. Vendosja e një kufiri kohor artificial për tërheqje do t’i dërgonte mesazh mbarë botës se Amerika është e dobët dhe një aleat i paqëndrueshëm. Vendosja e një kufiri kohor artificial për tërheqje do tu dërgonte sinjalin armiqve tanë se nëse kanë durim, Amerika do të largohet dhe do t’i lerë në baltë miqtë e saj, tha presidenti.

Në fjalimin që mbajti përpara një auditori mikëpritës në Akademinë Detare Amerikane në afërsi të Washingtonit, presidenti i bëri një mbrojtje të hollësishme politikës së tij për Irakun. Në kushtet kur po bie mbështetja e publikut për luftën dhe kur në kongresin amerikan po shtohen kritikat, presidenti Bush u përpoq të argumentojë vazhdimin e pranisë amerikane në një kohë që në radhët e trupave po rritet numri i viktimave.

Shumë elementë të fjalimit ishin dëgjuar edhe më parë. Por aty kishte disa hollësi të reja mbi procesin e stërvitjes së trupave irakiane. Presidenti synonte me këtë t’i kundërvihej nocionit se kjo stërvitje ka mbetur prapa. Presidenti Bush pranoi për herë të parë se në fazat e herëshme janë bërë gabime por shtoi se mënyrat mbi bazën të të cilave po rekrutohen dhe stërviten forcat irakiane të sigurimit kanë ndryshuar me kalimin e kohës dhe tani ato po sjellin më shumë rezultate. Rreth 80 batalione irakianësh po luftojnë krah për krah me forcat e koalicionit. Rreth 40 të tjerë po po luajnë rol drejtues në luftime. Shumë nga këta 40 batalione e kontrollojnë vetë fushën e luftimeve dhe po i kryejnë vetë operacionet kundër terrorizmit me pak mbështetje nga koalicioni si dhe po ndihmojnë për ta kthyer këtë betejë në favor të lirisë.

Më parë Shtëpia e Bardhë publikoi një raport prej 35 faqesh të titulluar Strategjia Kombëtare për Fitore në Irak. Në të parashtrohen me një gjuhë të detajuar, synimet afatshkurtra dhe afatgjata të presidentit për Irakun si dhe argumentet për vazhdimin e pranisë amerikane atje. Dokumenti i strategjisë, i cili është përgatitur nga grupi i punës për sigurinë kombëtare, thekson se asnjë luftë nuk është fituar duke caktuar kufij kohorë. Aty thuhet se pakësimi i trupave është i mundur ndoshta vitin e ardhshëm kur procesi politik të ecë përpara dhe të stërviten më shumë forca irakiane të sigurimit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se raporti është hartuar për ti dhënë popullit amerikan një ide më të mirë rreth planeve të administratës dhe qëllimeve të saj në Irak. Dhe në fjalimin e tij, presidenti e bëri të qartë këtë duke thënë se plani është ofruar për tu lexuar nga të gjithë në faqen elektronike të Shtëpisë së Bardhë.