Londër: Depoja e karburantit vazhdon të digjet pas shpërthimeve masive

Një depo karburanti në veri të Londrës vazhdon të digjet pas shpërthimeve masive që e goditën atë dje, duke plagosur 43 vetë.

Autoritetet thonë se duket që shpërthimet të kenë qenë aksidente, megjithatë hetimet vazhdojnë.

Disa banorë të zonës janë evakuuar dhe të tjerëve u është thënë që të mos dalin jashtë, për t’iu shmangur tymit.

Ekspertët e mjedisit thonë se nuk duket që tymi do të përbëjë rrezik për publikun. Nuk pritej që zjarri të fiket të paktën deri sot.

Depoja është pronë e një filiali francez të kompanisë Chevron Texaco dhe furnizon me karburant dhe gaz për ngrohje pjesën më të madhe të Anglisë juglindore, përfshirë aeroportet Heathrow dhe Luton.