Senati amerikan reagon ndaj vendimin e presidentit Bush për përgjimin e të dyshuarve

Senatorët republikanë dhe demokratë kërkuan thirrjen e seancave dëgjimore lidhur me vendimin e presidentit Bush që ka autorizuar agjencitë e spiunazhit për të përgjuar terroristët e dyshuar brenda kufijëve të Shteteve të Bashkuara pa leje nga organeve të drejtësisë.

Duke folur sot në televizionin amerikan, senatorët demokratë dhe republikanë thanë se Kongresi duhet të hetojë praktikën katër vjeçare që është mbajtur sekret. Njoftimin e dha për herë të parë gazeta New York Times ditën e premte.

Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs i kritikoi sot ata që nxorën sekretin, duke thënë se ai dëmton luftën kundër terrorizmit. Ajo këmbënguli gjithashtu që presidenti ka autoritetin ligjor dhe kushtetues për këtë praktikë. Por disa politikanë thanë se ky vendim ngre shqetësime ligjore. Sipas një ligji të vitit 1978 për Përgjimin e Zbulimit të Jashtëm, agjencitë e spiunazhit duhet të marrin leje më parë nga Gjykata për të përgjuar komunikimin e qytetarëve amerikanë në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti tha se ka autorizuar Agjencinë e Sigurimit Kombëtar për të kryer operacione të tilla pa miratimin e gjykatës. Zyrtarët e administratës thanë se ky ndryshim ka qënë i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit por nuk kanë dhënë informacione të tjera.