Në Senat përfunduan sot dëshmitë për kandidatin për Gjykatën e Lartë, Samuel Alito

Seancat, shpesh me polemike, përfunduan sot rreth mesditës. Gjatë seancave që zgjatën 5 ditë, ligjvenësit i kërkuan sqarime kandidatit për qëndirmin e tij për çështje të tilla si aborti, privilegjet ekzekutive, dhe dënimin me vdekje. Gjatë seancave dëshmuan edhe rreth 30 ekspertë duke dhënë mendimet e tyre pro dhe kundër kandidatit.

Po sot, ish presidentja e Lidhjes për të Drejtën për Riprodhim, tha se emërimi i zotit Alito, paraqet rrezik për të drejtat ligjore të grave. Ajo tha se e kaluara e këtij gjykatësi tregon se ai nuk respekton të drejtën për privaci, si një të drejtë themeleore amerikane.

Ndërsa disa ish këshilltarë ligjor thanë se zoti Alito ka qënë një gjykatës që nuk udhëhiqej nga ideologjia personale apo politike, por i angazhuar për procesin e drejtësisë.

Vetë gjykatësi Alito, i përfundoi dëshmitë e tij dje. Ai theksoi se gjithë çështjet do t’i trajtojë pa paragjykime. Kandidatura e tij pritet të konfirmohet nga senati i kontrolluar nga republikanët, megjithëse demokratët kanë shprehur shqetësim se gjykatësi Alito mund t’i japë gjykatës drejtim nga e djathta.

//ic//