Kosovë: Vazhdojnë homazhet për Presidentin Rugova

Këshilli Ekzekutiv i Varrimit të Presidentit Rugova, i cili u mblodh përsëri sot pasdite në Prishtinë nën drejtimin e kryetarit të parlamentit Nexhat Daci miratoi elementet kryesore të protokollit të ceremonisë së varrimit të Presidentit. Ceremonia qendrore do të mbahet ditën e enjte në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00, ndërsa varrimi në Varrezat e Dëshmorëve në lagjen “Velania” të Prishtinës.


Në ceremoninë zyrtare do të mbajnë fjalën e rastit kryeadministratori Soren Jesen Petersen, kryetari i parlamentit Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi, nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, dhe përfaqësuesi i familjes së Presidentit Rugova.

Edhe në orët e vona të mbrëmjes, qytetarët e Kosovës vazhdonin të bënin homazhe pranë arkivolit të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili është vendosur që prej mëngjesit të së hënës në hollin e parlamentit të Kosovës.

Këshilli i varrimit tha të martën se orari për homazhet publike në hollin e parlamentit për të mërkurën do të jetë nga ora 09:00 deri në 18:00, por do të kihet parasysh fluksi i madh i qytetarëve në orët e pasdites.

Këshilli Ekzekutiv i Varrimit të Presidentit Rugova, i cili u mblodh përsëri sot pasdite në Prishtinë nën drejtimin e kryetarit të parlamentit Nexhat Daci miratoi elementet kryesore të protokolit të ceremonisë së varrimit të Presidentit.

Ceremonia qendrore do të mbahet ditën e enjte në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00, ndërsa varrimi në Varrezat e Dëshmorëve në lagjen “Velania” të Prishtinës.

Në ceremoninë zyrtare do të mbajnë fjalën e rastit kryeadministratori Soren Jesen Petersen, kryetari i parlamentit Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi, nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, dhe përfaqësuesi i familjes së Presidentit Rugova.

Delegacione të shumta nivelesh të ndryshme qeveritare kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në ceremonitë mortore të Presidentit Rugova.

Këshilli Ekzekutiv i Varrimit pritet të përcaktojë nesër pasdite vonë hollësitë përfundimtare të ceremonisë së funeralit të Presidentit Rugova.

Këshilli Organizativ për organizimin e ceremonisë së varrimit të presidentit, u ka kërkuar Trupave mbrojtëse të Kosovës të bëjnë nderime gjatë homazheve dhe të përcjellin funeralin me nderime ceremoniale.

Trupat mbrojtëse të Kosovës do të përcjellin të enjten funeralin e presidentit të ndjerë nga parlamenti i Kosovës deri te Salla e Sportit “ 1 Tetori” në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku do të bëhet ceremonia e fundit e lamtumirës.

Organizimi dhe mbarëvajtja e ceremonisë do të jenë përgjegjësi e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Në përfundim të kësaj ceremonie TMK-ja do të përcjellë me nderime arkivolin e presidentit deri në varreza dhe lëshimi i arkivolit në varr do të përcillet me të shtëna nderi.

Për këtë ceremoni Komandanti i TMK-së, gjenerali Agim Ceku, ka urdhëruar ngritjen e gatishmërisë dhe angazhimin e të gjitha Zonave dhe Njësive Vartëse të TMK-së.