Izraeli thotë se nuk do të zhvillojë negociata me një qeveri palestineze, në të cilën përfshihen grupe ekstremiste që bëjnë thirrje për shkatërrimin e shtetit hebre.
Deklarata e qeverisë izraelite pason njoftimin për fitoren e thellë të grupit ekstremist Hamas në zgjedhjet parlamentare palestineze. Hamasi ka bërë thirrje për shkatërrimin e Izraelit.
Në Uashington, Presidenti Bush tha se nuk beson se Hamasi mund të jetë pjesë e procesit të paqes për sa kohë që të ketë një krah të armatosur.
Ai e cilësoi fitoren e Hamasit si një thirrje drejtuar udhëheqjes palestineze për zbatimin e reformave.
Ndërkohë, Irani e uroi Hamasin për fitoren në zgjedhje.
E ashtuquajtura Katërshja për Lindjen e Mesme tha se palestinezët votuan për ndryshime. Por, grupi thekson në një deklaratë se beson që aspiratat e palestinezëve për paqe dhe shtetin e tyre mbeten të pandryshuara.
Grupi tha gjithashtu se të gjithë pjesëmarrësit në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje që parashikon ekzistencën e dy shteteve, duhet të heqin dorë nga dhuna, të çarmatosën dhe të pranojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.