Banorët përgjatë brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara po përpiqen të rifillojnë sot aktivitetet normale pas sasisë rekord të dëborës që ra gjatë fundjavës. Ekipet e pastrimit të rrugëve po punojnë pa pushim për t’i mbajtur rrugët kryesore të hapura.
Megjithëse rreshjet kanë pushuar, vonesat e shërbimit hekurudhor dhe akulli nëpër rrugë e kanë vështirësuar transportin. Autoritetet po ashtu po punojnë për të rikthyer energjinë elektrike për 200 mijë banorë të zonës së Uashingtonit. Aeroportet rifilluan përsëri fluturimet sot për mijëra udhëtarët e bllokuar dje nga dëbora.
Një aeroplan i linjave turke rrëshqiti mbrëmë në pistën e aeroportit Kenedi të Nju Jorkut, por pa shkaktuar ndonjë dëm tek udhëtarët. Në Parkun Qendror të Nju Jorkut dëbora arriti trashësinë 68 centimetra, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 67 centimetrash të vendosur në vitin 1947. //rd//