Diplomacia botërore shqyrton mundësinë e sanksioneve kundër Iranit

Udhëheqësi i lartë i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, tha se Irani nuk do t’i ndalojë kërkimet e tij në fushën bërthamore. Të njejtin koment bëri po sot Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, i cili tha se Teherani nuk do t’i trëmbet presionit të Perëndimit për të hequr dorë nga programi bërthamor. Dje Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike i dërgoi raportin e saj mbi programin bërthamor të Iranit, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili mund të vendosë sanksione.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Mohamed el-Baradei, shfaqi shpresë që të bëhen të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e krizës së Iranit.

“Kam shpresë që Këshilli i Sigurimit të ndihmojë gjithashtu që gjërat të ecin përpara.”

Udhëheqësit e Iranit thonë se veprimtaritë e tyre në fushën bërthamore kanë qëllime paqësore, si prodhimi i energjisë. Por Shtetet e Bashkuara dhe Evropa besojnë se Irani synon të prodhojë armë bërthamore.

Këtu në Washington, nën-sekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns, tha se administrata e presidentit Bush kërkon miratimin e një rezolutë të Këshillit të Sigurimit kundër Iranit.

“Ka të ngjarë të shikojmë një deklaratë të Këshillit të Sigurimit, që synon të dënojë Iranin.”

Nëse kjo dështon, thotë zoti Burns, sanksionet globale do të jenë hapi i ardhshëm.

“Në se Irani nuk u përgjigjet fjalëve dhe rezolutave, atëhere ne besojmë se komuniteti ndërkombëtar duhet të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve kundër Iranit.”

Por duke folur në Kombet e Bashkuara, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, la të kuptohet se vendi i tij do të kundërshtojë sanksionet.

“Në historinë e kohëve të fundit, nuk mendoj se sanksionet kanë arritur objektivin e tyre për zgjidhjen e krizave.”

Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë një ligj, i quajtur Akti për Mbështetjen e Lirisë në Iran, në bazë të të cilit do të vendoseshin sanksione të njëanshme ekonomike kundër Iranit.

Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësusve nga Kalifornia, Tom Lantosh, është një prej ligjvënësve që kanë prej sorizusve të këtij projekt-ligji.

“Ligji do t’i kërkonte qeverisë amerikane që të vinte sanksione ndaj çdo kompanie ose vendi që investon më shumë se 20 milion dollarë në sektorin energjetik të Iranit.”

Nën-sekretari Burns thotë se administrata amerikane do ta mbështeste këtë projekt-ligj, por do të kishte nevojë për elasticitet me qëllim që të ruajë koalicionin e aleatëve që tashmë ka krijuar.

“Mendoj se arritja më e rëndësishme diplomatike e vitit të fundit ka qënë krijimi i koalicionit ndërkombëtar për të izoluar Iranin. Prandaj ne, ashtu si edhe kongresi amerikan, nuk duam ta dëmtojmë këtë koalicion.”

Robert Joseph, një zyrtar tjetër i lartë i departamentit të shtetit, tha se presidenti Bush po shqyrton të gjitha alternativat.

“Presidenti e ka bërë të qartë se asnjë alternativë nuk është përjashtuar dhe se një Iran me armë bërthamore është i patolerueshëm.”

Në takimin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vienë, nën-sekretari i Këshillit të Lartë Kombëtar të Iranit, Javad Vaidi, iu përgjigj me fjalë të ashpra qëndrimit amerikan.

“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë të drejtën tonë për veprimtari kërkimore dhe zhvillimi. Shtetet e Bashkuara mund të kenë fuqinë të shkaktojnë dëm dhe dhimbje, por edhe ato janë objekt i dëmit e dhimbjes dhe në se Shtetet e Bashkuara zgjedhin këtë rrugë, le të shohim si do të shkojnë punët.”

Duke u përballur me tensione në rritje, Mohamed el-Baradei bëri thirrje për qetësi.

“Mendoj se në këtë moment ne kemi nevojë për qëndrime të menduara mirë. Ne kemi nevojë që retorikat të ulen, kemi nevojë të shikojmë në se mund të bëjmë përparim. Kjo është një çështje që do të marrë kohë.”

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund ta shqyrtojë çështjen e Iranit që në fillim të javës së ardhshme.