Çeku: Vdekja e Millosheviçit një rast i munguar për përballjen e tij me drejtësinë

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, tha të shtunën se vdekja e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, i akuzuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit, është një rast i munguar për përballjen e tij me drejtësinë dhe dënimin për krimet e luftës dhe gjenocid në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje.

Zoti Ceku tha se beson se pavarësisht nga vdekja e ish-presidentit të ish-Jugosllavisë, drejtësia do të vihet në vend dhe politika e ideuar dhe e dirigjuar prej tij do të marrë dënimin e merituar.

“Po ashtu, me drejtësinë duhet të ballafaqohen sa më parë edhe përgjegjës të tjerë të masakrave në territorin e ish-Jugosllavisë, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karagjiç”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës theksoi gjithashtu se Serbisë po i afrohet shansi për të ndërtuar një të ardhme demokratike dhe për të rimëkëmbur raportet me vendet fqinje.

“Që ky proces të jetë konstruktiv dhe afat-gjatë, klasa aktuale politike në Serbi duhet të tregohet kritike ndaj së shkuarës konfliktuale, e cila prodhoi një varg luftërash në rajonin e ish-Jugosllavisë”, theksoi kryeministri Agim Ceku.

Qytetarët e Kosovës thonë se ish-presidenti jugosllav do të mbahet mend në Kosovë si përgjegjës për shkatërrimin e vetëqeverisjes së shqiptarëve të Kosovës me atë që atëherë ishte krahinë autonome, më pas përgjegjës për masakrat ndaj popullsisë shqiptare dhe dëbimin e qindra, mijëra të tjerëve. Sllobodan Milloshevic nisi ngritjen e tij politike në vitin 1987 me një fjalim në Fushë Kosovë afër Prishtinës, në të cilin paralajmëroi fillimin e sundimit me dorë të hekurt.

Sllobodan Millosheviç rrënoi autonominë e Kosovës në vitin 1989 dhe sundoi me dorë të hekurt për pothuaj dhjetë vjet deri në luftën e Kosovës e cila përfundoi me sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave të forcave serbe dhe vënien e Kosovës nën kontroll ndërkombëtar.