Udhëheqësit e BE-së i japin fund takimit të nivelit të lartë në Bruksel

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian i dhanë fund takimit dyditësh të nivelit të lartë në Bruksel, duke mbështetur idenë për një politikë të përbashkët energjitike.

Udhëheqësit theksuan nevojën për bashkëpunim përballë rritjes së çmimeve botërore, shtimit të varësisë nga importet dhe rritjes së kërkesës botërore, por ritheksuan përsëri angazhimin e tyre për të liberalizuar plotësisht sektorin e energjisë së Bashkimit Evropian deri në vitin 2007.

Kancelari austriak Volfgang Shysel, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, theksoi se lloji i energjive që do të përdoren nga vendet e veçanta do të jetë në dorën e tyre, duke lejuar që secili prej tyre të vendosë vetë për çështjet të tilla si përdorimi apo jo i energjisë bërthamore.

Udhëheqësit udhëzuan Komisionin Evropian, entin kryesor ekzekutiv të Bashkimit, që të përmirësojë aftësitë konkurruese të këtij blloku ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ekonomive të tjera. Ata bënë gjithashtu thirrje për hartimin e ligjeve që do ta hapnin tregun e shërbimeve të Bashkimit Evropian për konkurrencën. Muajin e kaluar, Parlamenti Evropian hodhi poshtë një projektligj i cili parashikonte të lejonte punëtorët e njërit vend të Bashkimit Evropian për të punuar në një vend tjetër anëtar sipas rregullave të vendit nga vinin. //rd//