SHBA bëjnë të njohur një politikë të re që ndalon kontaktet me zyrtarët e qeverisë së re palestineze 

Shtetet e Bashkuara bënë të njohur një politikë të re që ndalon të gjitha kontaktet me zyrtarët e qeverisë së re palestineze të kontrolluar nga Hamasi.

Rregullat e reja të caktuara dje nga Departamenti amerikan i Shtetit tejkalojnë kufizimet e mëparshme që ndalonin kontaktet me zyrtarët e Hamasit. Tani ndalohen kontaktet me zyrtarët e ministrive palestineze, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake.

Mirëpo, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Adam Ereli, tha se diplomatët amerikanë mund të bien në kontakt me kreun e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz, personelin e tij dhe zyrtarët e agjencive që janë drejtpërdrejt nën kontrollin e tij.

Politika e re njoftohet ndërkohë që anëtarët e Katërshes për Lindjen e Mesme kanë në plan të takohen nesër në Aman të Jordanisë për diskutime rreth qeverisë së re palestineze të udhëhequr nga Hamasi. Uashingtoni thotë se Hamasi është organizatë terroriste.