IFES: Popullsia e Kosovës është e painformuar për sistemin e drejtësisë

Një organizatë ndërkombëtare që punon për konsolidimin e demokracisë në vendet në zhvillim thotë se shumë njerëz në Kosovë janë të painformuar për elementë thelbësorë të sistemit ligjor dhe të gjyqësorit. IFES e nxorri këtë përfundim nga një anketë që kreu për Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, rezultatet e së cilës u bënë publike të hënën.

Sipas sondazhit që u krye nga 8 deri më 26 gusht, më pak se një e katërta e 1,226 të anketuarve nga e gjithë Kosova dinë sesi të marrin informacion për ligjet në bazë të të cilave ata qeverisen dhe më pak se gjysma i njohin procedurat gjyqësore, si për shembull sesi të apelojnë një vendim gjykate.

Megjithatë, në raportin e organizatës IFES thuhet se shumica e banorëve të Kosovës i njohin të drejtat e tyre ligjore dhe shumë prej tyre dinë sesi të gjejnë një avokat mbrojtës.

“Ndërkohë që numri i qytetetarëve që shprehin besimin tek paanësia e gjyqësorit është rritur në krahasim me një sondazh të vitit 2004, mosbesimi i tyre i vazhdueshëm ndaj integritetit dhe aftësive të gjykatësve, si edhe niveli i ulët i informimit për ligjet, janë disa nga sfidat më urgjente që duhet të marrin udhë tani që por mbahen bisedimet për statusin e Kosovës”, citohet të ketë thëmë Violaine Autheman, eksperte e IFES-it, në njoftimin e shtypit të organizatës.

Sipas anketës, numri i serbëve që kanë informacion për procedurat bazë të gjyqësorit dhe gjykatave është më i pakët se ai i shqiptarëve. Gjithashtu media mbetet burimi kryesor i informacionit në Kosovë. 84 për qind e banorëve në Kosovë besojnë se media vendase është objektive dhe 88 për qind e popullsisë e merr infornacionin për sistemin gjyqësor përmes medias.

Ndërkohë shumica e serbëve mendojnë se sistemi gjyqësor në Kosovë është i njëanshëm dhe nuk kanë besim tek sistemi i drejtësisë dhe gjykatat.

Sipas raportit, 70 për qind e të anketuarve besojnë se korrupsioni ndodh gjithmonë ose ndonjëherë mes gjykatësve, 65 për qind mes avokatëve, 58 për qind mes prokurorëve dhe 51 për qind mes zyrtarëve të tjerë të gjykatës.