Irani: Një vendim i Këshillit të Sigurimit do të nxiste konfrontime

  • Çallis Mekdona

Irani thotë se nuk do të pranojë asnjë kërkesë të Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund programit të tij për pasurimin e uraniumit. Ministria e Jashtme paralajmëroi se imponimi i kërkesave të tilla do të çonte në konfrontime. Ndërsa parlamenti iranian deklaroi se ai mund ta detyrojë qeverinë të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Irani paralajmëroi se do të hedhë poshtë çdo rezolutë me fuqi detyruese të miratuar nga Këshilli i Sigurimit që do t’i kërkonte Teheranit të pezullojë programin e tij bërthamor. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Hamid Reza Asefi, tha se çdo rezolutë e tillë e Këshillit të Sigurimit do të kishte efekte negative mbi bashkëpunimin e Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, agjenci e Kombeve të Bashkuara e cila monitoron veprimtaritë bërthamore në botë.

"Angazhimi në këtë mes i Këshillit të Sigurimit dhe marrja e vendimeve të padrejta do ta ndryshonte drejtimin e punës nga bashkëpunim në konfrontim."- tha ai.

Ndërkohë, më shumë se gjysma e deputetëve të parlamentit iranian i cili mbizotërohet nga radikalët, nënshkruan një deklaratë ku thuhet se nëse Këshilli i Sigurimit miraton një rezolutë me fuqi zbatuese për Iranin, ata do t’i kërkojnë qeverisë të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Britania dhe Franca, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, kanë paraqitur në Këshillin e Sigurimit një projektrezolutë e cila do të kërkonte që Irani t’i japë fund pasurimit dhe përpunimit të uraniumit.

Nëse projektrezoluta miratohet, atëhere çdo kundërshtim i Iranit do të shkaktonte sanksione, megjithëse këto do të kërkonin një rezolutë të dytë. Rusia dhe Kina, dy anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, janë kundër sanksioneve ndaj Iranit dhe po bëjnë thirrje për më shumë diplomaci.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, plus Gjermania do të mblidhen këtë javë në Nju Jork në përpjekje për të arritur një mendim të përbashkët se si do të vazhdohet më tej. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtëme iraniane u tha gazetarëve në Teheran se Irani do ta kundërshtonte një rezolutë me fuqi detyruese zbatimi.

"Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk duhet të miratojë një vendim të cilin nuk mund ta prapësojë më vonë sepse ne nuk do të bëjmë kompromis për të drejtat tona."

Pezullimi ose ndërprerja e programit bërthamor, tha ai, nuk është në programin e Teheranit dhe nuk do të jetë kurrë. Irani thotë se ai po e bën pasurimin e uraniumit në nivelin që kërkohet për uzinat bërthamore. Irani thotë gjithashtu se ai thjesht përpiqet të prodhojë energji për qëllime paqësore. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca besojnë se Teherani po përpiqet të prodhojë një armë bërthamore.//lk