Izraeli vazhdon, për të nëntën ditë, bombardimet në Liban

Avionët luftarakë izraelitë bombarduan sot një numër objektivash në Liban, për të nëntën ditë me radhë, ndërkohë që janë zhvilluar luftime edhe më të ashpëra mes forcave tokësore izraelite dhe atyre të grupit Hezbollah, në jug të Libanit. Ushtarët izraelitë hynë përsëri sot me forcë në Liban dhe Hezbollahu hodhi raketa të tjera në Izrael.

Zyrtarët izraelitë thonë se 11 ushtarë dhe një numër i panjohur luftëtarësh të grupit Hezbollah u plagosën në luftime. Stacioni televiziv arab Al Xhazira, njofton se tre ushtarë izraelitë u vranë. Ushtria izraelite nuk e ka konfirmuar këtë numër.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Amir Perez, tha se vendi i tij do të përdorë të gjitha mjetet për të dëbuar grupin Hezbollah nga jugu i Libanit. Izraeli thotë se banorët në jug të lumit Litnai, 30 kilometra në brendësi të territorit libanez duhet të largohen nga ajo zonë.

Kryeministri libanez, Fuad Siniora thotë se 300 libanezë, shumica e tyre civilë, janë vrarë këto ditë. Izraeli thotë se ka humbur 30 njerëz që nga koha e shpërthimit të luftimeve, më 12 korrik, kur Hezbollahu kapi dy ushtarë izraelitë.

Annan bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve midis Izraelit dhe grupit Hezbolla, për të lejuar diplomacinë të gjejë një zgjidhje për krizën.

Duke folur para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zoti Annan tha se Izraeli ka përdorur forcë të tepruar në Liban, por shtoi se Hezbollahu e provokoi Izraelin dhe se ky grup duhet të lirojë dy ushtarët e kapur.

Zoti Annan, bëri gjithashtu thirrje për dërgimin e një force paqeruajtëse në Libanin jugor dhe për organizimin e një konferencë ndërkombëtare, për të përcaktuar kufirin kohor kur Libani të marrë nën kontroll gjithë territorin e tij.

Ambasadori izraelit në OKB tha se zoti Annan nuk shqyrtoi shkaqet e krizës, që siç tha ai, janë terrori si dhe përkrahësit e Hezbollahut, Irnai dhe Siria. Departamenti i Shtetit njoftoi sot se Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs do të shkojë në Lindjen e Mesme që javën tjetër, në përpjekje për të qetësuar situatën.//lk