Ministrat e financave të Grupit të Shtatëshes i kërkuan Kinës të lejojë ngritjen e vlerës së monedhën së saj

Ministrat e financave të shtatë vendeve më të industrializuara të botës po i kërkojnë Kinës ta lejojë monedhën e saj t’i shtohet vlera më shpejt për të lehtësuar çekuilibrin tregëtar.

Në një deklaratë të lëshuar sot, ministrat e grupit të shtatëshes thonë se ka nevojë për një fleksibilitet më të madh në kurset e këmbimit të disa ekonomive që po rriten, veçanërisht të Kinës.

Po sot ministrat e grupit të shtatëshes u takuan me zyrtarë të lartë kinezë për bisedime mbi çekuilibrin e tregëtisë globale.

Pas takimit, guvernatori i bankës qëndrore të Kinës tha se vendi i tij është i gatshëm të shqyrtojë me seriozitet çdo propozim në lidhje me politikat e tij monetare.

Lidhur me çështje të tjera, ministrat e financave të grupit të shtatëshes thanë se ekonomitë e tyre mbeten të forta megjithë ngadalësimin e rritjes në Shtetet e Bashkuara dhe se inflacioni dhe politikat e protektonizmit në tregëti vazhdojnë të përbëjnë rrezik.

Ministrat janë mbledhur në Singapor para takimit vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që zhvillohet të martën dhe të mërkurën.