Maqedoni: Ligji për policinë ngjall debate të ashpra në parlament

Projektligji për policinë ka nxitur debate të ashpra në Parlamentin e Maqedonisë. Në projekt parashikohet formimi i tetë sektorëve të policisë që do të përfshijnë rajone, ndërsa kushtet për të qenë në krye të sektorëve apo kryeshef i policisë së një komune konsiderohen si mjaft të vështira sidomos për shqiptarët.

Këmbënguljet e Bashkimit Demokratik për Integrim që ligji të votohet në bazë të parimit të Badenterit, ishin të kota. Me këtë parim të zbatuar nga Marrëveshja e Ohrit për çështje që prekin aspekte ndëtretnike kërkohet një votim i dyfishtë, ku pa shumicën e votave të deputetëve jomaqedonas nuk mund të miratohet një ligj. Por për këtë vendosin komisione të caktuara të Parlamentit sikur ky për marrëdhënie ndëretnike.

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social Demokrate kanë tërhequr pjesëtarët e tyre nga ky komision.

BDI vlerëson se projektligji për policinë, mes të tjerash nuk saktëson mënyrën e komunikimit të qytetarëve me policinë, përkatësisht nuk thuhet se në cilën gjuhë do t’i drejtohet polici një të akuzuari gjatë ndalimit apo arrestimit të tij. Rafiz Haliti i BDI-së thotë:

“Lideri i VMRO-së Nikolla Gruevski disa herë e ka ndryshuar qëndrimin varësisht se ku ndodhet, këtu në vend apo jashtë Maqedonisë”.

Por PDSH-ja në qeveri thotë se po bëhen disa ndryshime teknike, për të cilat nuk jep hollësi se çfarë janë ato dhe se ligji do të jetë i pranueshëm për shqiptarët. Ja ç’thotë Besim Dogani i PDSH-së:

“Me miratimin e kwtij ligji, ai do të jetw shumë i afërt për qytetarët”.

Projektligji kërkon që kryeshefat e sektorëve të policisë të kenë një përvojë prej 12 vjetësh në polici prej tyre gjashtë vjet në pozitë udhëheqëse, ndërsa për kryeshefat e policisë së komunave kërkohet 10 vjet përvojë pune në polici.

Komuniteti ndërkombëtar shpesh ka bërë vërejtje për zvarritjen e proceseve rreth këtij ligji ndërsa kërkon që ai të jetë i pranueshem për të gjithë. //kk//