SHBA: Demokratët dhe ndryshimet e pritshme në politikën e jashtme

  • Bill Rogers

Në Shtetet e Bashkuara, tani që demokratët përgatiten të marrin kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit, mazhoranca e re pritet të kërkojë ndryshime të mëdha në politikën e jashtëme amerikane. Lufta në Irak, marrëdhëniet me shtetet e papërgjegjëshme dhe tregtia do të jenë tani çështje parësore për ligjvënësit më të rëndësishëm demokratë. Por ekspertët thonë se hapat në çështje të tilla do të varen shumë nga Presidenti Bush, do të varen edhe nga arritja e një konsensusi për politikën e jashtëme mes dy partive kryesore.

Të rinuar nga fitorja në zgjedhjet e 7 nëntorit, demokratët po përgatiten tani të punojnë për ndryshime në politikën e jashtëme amerikane, sidomos për luftën në Irak. Demokratë të tillë të rëndësishëm, si senatori Karl Levin, i cili pritet të kryesojë komisionin e senatit për forcat e armatosura, po bëjnë thirrje për një tërheqje me faza të trupave amerikane.

"Në këtë periudhë, unë shpresoj se ne do të krijojmë një shumicë dypartiake në të dyja dhomat për t’i kërkuar administratës që të fillojë një tërheqje me faza të forcave amerikane, duke filluar 4 deri në 6 muaj pasi Presidenti të ketë dhënë sinjalin."

Por ende nuk dihet nëse në Kongres do të mund të formohet një shumicë e tillë nga të dyja partitë. Bashkëpunimi mes dy partive lulëzoi gjatë dekadave të para të Luftës së Ftohtë, kur demokratët dhe republikanët ishin të bashkuar në përpjekjet për të frenuar ekspansionin sovjetik dhe atë komunist.

Lufta në Irak nuk ka nxitur ndonjë konsensus të tillë. Por në disa diskutime të zhvilluara ditët e fundit një Uashington, folësit kanë theksuar se fitorja e demokratëve në zgjedhje mund të çojë në formulimin e një politike të jashtëme që ka mbështetjen e të dyja partive.

Megjithatë, Lorenc Korb, ish zyrtar i administratës Reagan, thotë se në një masë të madhe kjo do të varet nga vetë Presidenti Bush.

"Megjithëse Kongresi patjetër që mund të luajë rol dhe mund të ushtrojë presion, nxitja e vërtetë për bashkëpunim mes dy partive duhet të vijë nga ekzekutivi. Presidenti është komandanti i forcave të armatosura dhe mund ta dominojë politikën e jashtëme. Kjo do të ndodhte vetëm nëse Presidenti është i gatshëm të punojë në mënyrë dypartiake sepse kjo është në interesin e tij politik. Atë e shqetëson fakti se çdo të thotë historia për të ose për arësye të tjera."

Hyrja në bisedime me shtetet e papërgjegjëshme si Koreja e Veriut dhe Irani mund të jetë po ashtu një çështje për të cilën do të ngulin këmbë demokratët.

Kongresmeni Tom Lantosh, i cili pritet të jetë kryetar i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, është shprehur fuqimisht për dialog me vendet me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë mosmarrëveshje.

Këtë pikpamje e mbështesin edhe demokratë të tjerë si kongresmeni Xhim MakGovern. Ai i tha Zërit të Amerikës se Uashingtoni duhet të hyjë në bisedime me kundërshtarë të tillë si Irani.

"Mendoj se nuk ka asgjë të keqe kur bisedon. Dëgjoj disa njerëz që thonë se ne nuk mund të bisedojmë me Iranin pasi ai është kundërshtari ynë ose që nuk mund të flasim me Libinë, pasi është vend armik. Mendoj se ne kemi nevojë të flasim me kundërshtarët, disa herë madje më shumë se sa me miqtë tanë."

Lufta në Irak do të jetë tema dominuese në politikën e jashtëme amerikane. Si demokratët, edhe republikanët, duke përfshirë presidentin, po presin tani raportin që do të paraqesë komisioni dypartiak Bejker-Hamilton për të parë se çfarë strategjie të re do të propozojë ai.//ii