Ligjvënësi Stiven Hojer, numri dy në Dhomën e Përfaqësuesve

Në Shtetet e Bashkuara, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve premtuan se do të punojnë së bashku kur të marrin kontrollin e Dhomës në muajin janar, megjithë rivalitetin e paparishkuar që u shfaq mes tyre për zgjedhjen e numrit dy në këtë Dhomë.

Kongresmenët demokratë zgjodhën zotin Steni Hojer të shtetit Merilend si udhëheqës të shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, megjithëse kryetarja e ardhëshme e Dhomës, Nensi Pelozi kishte njoftuar papritur se mbështeste kandidaturën e zotit Xhon Mërtha për këtë post.

Në votimin e fshehtë të zhvilluar sonte, Hojer siguroi 149 vota kundrejt 86 që mori Mërtha. Zonja Pelozi tha se e kishte mbështetur kongresmenin Mërtha falë përpjekjeve të tij për hapjen e një debati lidhur me luftën në Irak. Ajo pranoi se kishte mosmarrëveshje me zotin Hojer, rival i vjetër politik i saj por tha se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer në postin e ri si udhëheqës i shumicës.

Nga ana e tij, Hojer, i cili është aktualisht zëvendës i Pelozit në postin e saj të tanishëm si udhëheqëse e pakicës demokrate, e quajti atë një grua me vlera të mëdha, me intelekt të mprehtë dhe me aftësi politike të jashtëzakonshme. Ai shtoi se pret të vazhdojë të punojë me zonjën Pelozi.