Presidenti Bush thotë se trupat amerikane do të qendrojnë në Irak për sa kohë që qeveria irakiane do që ato të jenë të pranishme në vend. Presidenti e bëri këtë deklaratë dje në një konferencë të përbashkët shtypi në Jordani me Kryeministrin Nouri al-Maliki.
Gjatë fluturimit për në Washington, këshilltari i Presidentit për çështjet e Sigurimit Kombëtar, Stephen Hadley, u tha gazetarëve se zoti Bush do të bëjë ndryshime në politikën e tij për Irakun brenda “disa javësh dhe jo muajsh”.
Një komision dy partiak, ka në plan të njoftojë rekomandimet e tij për Irakun të mërkurën e ardhëshme. Media amerikane njofton se grupi do të rekomandojë tërheqjen graduale të forcave amerikane nga Iraku. Në raport thuhet se komisioni do të rekomandojë gjithashtu edhe ndryshimin e misionit të trupave amerikane nga ai luftarak në atë mbështetës për rindërtimin e vendit. Pritet që komisioni të thotë se angazhimi ushtarak amerikan në Irak nuk do të jetë i përhershëm.
Në Jordani zoti Maliki tha në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan ABC se forcat irakiane do të jenë të gatshme të marrin kontrollin e sigurimit deri nga qershori i vitit të ardhëshëm.