Ballanca në Senatin amerikan mundet të ndryshojë

Një senator demokrat amerikan është në gjendje kritike pasi bëri një operacion në tru në Uashington. Ndërkohë që demokratët pritet të marrin kontrollin e Senatit muajin e ardhshëm me një diferecë shumë të ngushtë, sëmundja e senatorit të Dakotës së Jugut Tim Johnson mund të ndryshojë balancën e pushtetit nëse ai do ta ketë të pamundur ta përfundojë mandatin e tij. Korrespondentja Deborah Tate njofton nga Kongresi.

Një mjek i Kongresit tha se operacioni i Senatorit Johnson doli me sukses, por ai nuk mund të thoshte nëse ai kishte nevojë për një ndërhyrje tjetër. Mjeku tha se senatori u operua për hemorragji në tru të shkaktuar nga një problem i enëve të gjakut. Nëse senatori Xhonson nuk do të mund ta vazhdojë mandatin e tij, guvernatori republikan i Dakotës së Jugut Majkëll Raunds mund të emërojë një republikan për të përfunduar dy vitet e mbetura të mandatit të zotit Xhonson.

Kongresi i ri që pritet të fillojë punën më 4 janar nëse zoti Xhonson vazhdon detyrën, do të ketë 51 demokratë dhe 49 republikanë. Por nëse Senatori demokrat zëvendësohet, Senati do të ishte i ndarë 50 me 50 dhe nënpresidenti Çejni do të shërbente për të hedhur votën në rastet kur Senati do të ishte i ndarë për vendimet.

Praktikisht kjo do të thoshte që republikanët do të kishin shumicën. Presidenti Bush u informua për sëmundjen e Senatorit Xhonson sot më mëngjes. Zonja e Parë Laura Bush tha në një intervistë se ata i uronin Senatorit një shërim të shpejtë. Senatori 59 vjeçar u dërgua në një spital të Uashingtonit dje, pasi filloi t’i merrej goja gjatë një konference telefonike me gazetarët në Kongres.//lk