Komuniteti ndërkombëtar i bëri thirrje sot politikanëve shqiptarë të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të organizojnë zgjedhje në përputhje me standartet ndërkombëtare.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Havier Solana paralajmëroi sot se dështimi për të realizuar zgjedhje demokratike do të dëmtonte përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
Zoti Solana, i cili këto ditë ndodhet për vizitë në Shtetet e Bashkaura, përmes një deklarate u bën thirrje palëve të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani dhe të zgjidhin me bisedime çështjet e tjera teknike. Po ashtu ai thekson se pret që të gjitha palët të marrin pjesë në zgjedhjet vendore.
Të njëjtin shqetësim për bllokimin e procesit elektoral shprehën sot edhe zyrat e OSBE-së, Këshillit të Evropës, Presidencës së Bashkimit Evropian dhe ambasadës amerikane në Tiranë.
Krerët e misioneve të huaja u bëjnë thirrje politikanëve shqiptarë të kapërcejnë mosmarrëveshjet mbi çeritifikatat e lindjes, e të respektojnë Marrëveshjen e 30 Dhjetorit të arritur nga dy partitë kryesore politike.
Bashkëpunimi i të gjithë aktorëve shqiptarë, thuhet në deklaratën e krerëve të misioneve në Tiranë, është me rëndësi themelore për suksesin e zgjedhjeve. Dështimi i njërës palë për të kontribuar për konsensus dhe për të vepruar në mirëbesim nuk duhet të penalizojë të gjithë vendin, i cili ka nevojë të mbajë zgjedhje që përmbushin standardet ndërkombëtare.
Në deklaratë thuhet se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e gatshme për të ofruar ndihmë të mëtejshme teknike për përgatitjen e zgjedhjeve dhe reformën elektorale. //kk//