Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad deklaroi përsëri se do t’i vazhdojë përpjekjet për sigurimin e teknologjisë bërthamore, një ditë pasi Agjencia Ndërkombëtare Bërthamore njoftoi se Irani nuk e ndërpreu aktivitetin e pasurimit të uraniumit, siç kërkohej nga një rezolutë e OKB-së.
Duke folur sot në një takim në veri të vendit, zoti Ahmadinexhad tha se Irani “nuk duhet të tregojë dobësi” për çështjen bërthamore.
Dje, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, njoftoi me anën e një raporti për Këshillin e Sigurimit, se Irani e ka zgjeruar aktivitetin e pasurimit të uraniumit. Raporti i hap rrugën sanksioneve të tjera të mundshme ndaj Iranit.
Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, tha se do të shkojë të hënën në Londër për bisedime me përfaqësuesit e vendeve të tjera anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit, Britanisë, Francës, Rusisë dhe Kinës.
Zoti Burns tha se nevojitet një rezolutë e re, ngaqë Irani po vazhdon të mbajë një qendrim sfidues ndaj komunitetit ndërkombëtar. //ze//