Ushtria amerikane në Irak pret sulme të bujshme nga Al-Kaida

Ushtria amerikane tha se pret që al-Kaida në Irak të ndërmarrë sulme të bujshme pasi ofensiva madhore amerikane ka ndërprerë aktivitetet e grupit.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane në Bagdat, gjenerali Kevin Bergner tha sot se 26 udhëheqës të lartë të al-Kaidës u vranë ose u kapën në muajt maj dhe qershor. Gjenerali Bergner e cilësoi al-Kaidën si kërcënimin më të madh të sigurimit në Irak. Në aktet më të fundit të dhunës në Irak, ushtria amerikane njoftoi se persona të armatosur vranë 11 veta, duke i mbyllur ata në një shtëpi, të cilën e hodhën në erë.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se sulmi në perëndim të Bagdatit mund të ketë qënë një akt hakmarrës kundër pronarit të shtëpisë, i cili kishte lidhje me forcat lokale të sigurimit. Po sot, ministria e brëndshme e Irakut njoftoi se forcat e sigurimit sekuestruan sot 200 rrypa mesi, që përdoren nga autorë sulmesh vetëvrasëse në një kamjon që hynte në vend nga Siria. //rd//