Maqedoni; mocion mosbesimi ndaj kryetarit të parlamentit

Parlamenti i Maqedonisë po zhvillon debat lidhur me kërkesën e partisë maqedonase Liberal Demokrate të opozitës për interpelancë ndaj kryetarit të Parlamentit, Lubisha Georgievski. Partia Liberal Demokrate thotë se kryetari i Parlamentit po e shkel rregulloren e Parlamentit dhe kushtetutën dhe se e ka shndërruar këtë institucion në një burim të përhershëm krizash. Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim e fajëson zotin Georgievski se nuk është i aftë ta drejtojë Parlamentin, se i mbron

interesat e shumicës dhe se nuk i zbaton marrëveshjet e arritura midis grupeve parlamentare. Ndërkohë, partitë në pushtet thonë se debati i sotëm është i panevojshëm dhe i shërben vetëm qëllimeve politike të opozitës. Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Georgievski duke iu përgjigjur akuzave për fjalorin dhe qëndrimet e tij antishqiptare, tha se kjo gjë nuk është e vërtetë dhe se ai ka filluar ta mësojë shqipen.

Që Parlamenti i Maqedonisë ta rrëzojë nga posti kryetarin Lubisha Georgievski duhen gjashtëdhjetë e një (61) vota të deputetëve. Opozita nuk e ka këtë numër të nevojshëm të votave në Parlament.