Uashingtoni kërkon sqarim nga Beogradi pas komentit të zyrtarit serb për Kosovën

  • David Gollast
    Uashington

Departamenti amerikan i Shtetit tha dje se po kërkon sqarim nga Beogradi, pasi një zyrtar i lartë serb tha se Serbia mundet të përdorë forcën, për të parandaluar pavarësinë e Kosovës.

Departamenti i Shtetit e kritikoi si “acarues dhe fatkeq” një koment të zyrtarit më të lartë serb për Kosovën, se Beogradi mund të përgjigjet ushtarakisht ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por Departamenti i Shtetit, po ashtu, beson se komentet e zbutura të Ministrit të Jashtëm Vuk Jeremiç përfaqësojnë në fakt politikën aktuale të Serbisë.

Komentet e Ministrit të Jashtëm serb pasuan ato të zyrtarit të lartë serb Dushan Prorokoviç, Sekretar i Shtetit për Kosovën, i cili thonte në një intervistë të botuar të mërkurën në gazetën “International Herald Tribune”, se Serbia është e gatshme të përdorë forcën, për t’i parandaluar vendet perëndimore ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Prorokoviç, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Serbisë të Kryeministrit Vojisllav Koshtunica, tha se Beogradi po shqyrton edhe hapa të tjerë, përfshi mbylljen e kufirit me Kosovën dhe vendosjen e një embargoje tregtare ndaj saj.

Në një konferencë shtypi, Zëdhënësi i Departmentit amerikan të Shtetit, Tom Kejsi, tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë sqarimin e komenteve të zotit Prorokoviç nga qeveria e Beogradit:

"Sigurisht, që këto janë komente të pajustifikueshme dhe nuk e ndihmojnë aspak çështjen. Ajo që është më e rëndësishme, madje, do të thoja se ne jemi të mendimit, se këto deklarata nuk përfaqësojnë pikëpamjet e qeverisë së Serbisë që në fakt, ne e kuptojmë, sepse Ministri i Jashtëm i Serbisë u tha zyrtarëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, se përdorimi i forcës nuk është një mundësi që do të shfrytëzonte Serbia në trajtimin e çështjes së statusit të Kosovës" ,- tha zëdhënësi.

Ministri i Jashtëm Jeremiç, i cili konsiderohet si reformator dhe pro-Perëndimit, u citua të ketë thënë në Bruksel, se Serbia nuk do të kërcënonte ushtarakisht, apo nuk do të ndërmerrte një veprim të kësaj natyre, i cili do ta destabilizonte më tej situatën. Por ai paralajmëroi, po ashtu, se njohja diplomatike e Kosovës do të shkaktonte një reagim të ashpër në Serbi dhe do të nxiste pretendime të tjera territoriale në Ballkan e gjetkë.

Shtetet e Bashkuara, krahas me Rusinë dhe me Bashkimin Evropian, po i mbikqyrin bisedimet mes udhëheqësve kosovarë dhe serbë, që janë në plan të rifillojnë më 28 shtator në Nju Jork. Kombet e Bashkuara kanë caktuar 10 dhjetorin si afat për përfundimin e negocitave lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës që kanë vazhduar për një kohë të gjatë.

Në se nuk arrihet një marrëveshje, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Bashkimit Evropian në Grupin e Kontaktit thonë se do të kërkojnë pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës, sipas propozimit të të dërguarit të OKB-së, zotit Marti Ahtisaari.

Rusia, një tjetër anëtar i Grupit të Kontaktit, e mbështet aleaten e tij për një kohë të gjatë, Serbinë, e cila e kundërshton me forcë idenë e pavarësisë, por nga ana tjetër, shton se do t’i jepte Kosovës një autonomi në shkallë të gjerë.//lk