Elenor Holms Norton, përfaqësuese e Uashingtonit në Kongres pa të drejtë vote

  • Rosanne Skirble

Banorët e kryeqytetit amerikan, Uashington, dështuan përsëri në përpjekjet e tyre për të siguruar një përfaqësues me të drejta të plota votimi në kongresin amerikan. Republikanët në Senatin amerikan bllokuan përsëri shqyrtimin dje të një projekt-ligji, në bazë të të cilit Uashingtoni do të kishte një përfaqësues me të drejtë vote në Kongres. Duheshin edhe 3 vota që projekt-ligji të kalonte për debat në senat e për miratim përfundimtar.

Kryeqyteti amerikan nuk ka një përfaqësues me të drejtë vote në kongres, po ka një përfaqësuese në Dhomën e Përfaqësusve, ku shpreh shqetësimet e banorëve të Uashingtonit dhe lufton për vite me radhë për të siguruar të drejtën e Uashingtonit për të pasur një përfaqësues me të drejta të plota si të 50 shtetet e Amerikës dhe për t'iu dhënë statusi i shtetit. Në materialin në vazhdim do t'ju njohim me jetën dhe karierën e Elenor Holms Norton, e cila ka një histori të gjatë të luftës për të drejtat civile dhe përfaqësim të barabartë për elektoratin e saj.

Elenor Holms Norton është banore e brezit të tretë të Uashingtonit. Ajo thotë se ky qytet ndikoi në formimin e saj.

“Stërgjyshi im, Riçard Holms ishte skllav, që u arratis. Kështu u vendos në Uashington familja e babait tim”.

E lindur në vitin 1937, Elenor u rit në Uashington, në një kohë kur fëmijët e bardhë dhe zezakë nuk shkonin në të njëjtat shkolla.

“Prindërit e mi dhe i gjithë qyteti rritën të rinj, si unë, që i shikonim njerëzit, që diskriminonin, si njerëz që bënin gabim. Ne na mësuan që t’i donim të gjithë njerëzit dhe të kishim mëshirë për ata, që injoranca i bënte të besonin tek ndarja raciale”.

Zonja Norton studjoi në Kolegjin Antioch dhe më pas ndoqi juridikun në Universitetin Yale. Si avokate e re për Unionin Amerikan të Lirive Civile në vitet 1960-të, Elenor mbronte të drejta të barabarta në bazë të kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Puna e saj në Unionin Amerikan të Lirive Civile tërhoqi vemendjen e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, i cili i ofroi asaj punë si kryetare e komisionit të qytetit për të Drejtat e Njeriut. Në vitin 1977, administrata e presidentit Karter e ktheu zonjën Norton në Uashington në krye të Komisionit për Mundësi të Barabarta Punësimi.

Ajo kaloi në politikë në vitin 1990, kur u zgjodh për të përfaqësuar kryeqytetin amerikan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

“Kur isha e re nuk desha të bëhesha anëtare e Kongresit. Uashingtoni nuk përfaqësohej nga një anëtar i kongresit. Ky qytet sundohej si një koloni nga 3 komisionerë të emëruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ky është një prej kapitujve më të turpshëm në historinë e Amerikës”.

Në rolin e delegates së zgjedhur të Uashingtonit në Dhomën e Përfaqësusve, zonja Norton mund të propozojë ligje, të shërbejë në komisione të ndryshme, madje edhe t’i kryesojë ato, por ajo nuk mund të votojë për miratimin e ndonjë ligji.

“Njerëzit, që unë përfaqësoj, dhe të parët e tyre akoma nuk kanë të drejta të barabarta me amerikanët e tjerë”.

Elenor Holms Norton ka shumë pasione. Pasi demokratët fituan shumicën në kongresin amerikan nëntorin e kaluar, ajo është bërë kryetare e disa nënkomisioneve të kongresit, të cilat mes të tjerash, mbikqyrin mirëmbajtjen e godinave të qeverisë federale.

Zonja Norton thotë se miratimi i ligjeve në demokraci varet shumë tek kompromisi, ose gjetja e një gjuhe të përbashkët me opozitën.

“Ne duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët në mënyrë që vendi të ecë përpara. Ndonjëherë ne ngecim. Ngandonjëherë, ne nuk përparojmë me rritmin që duam, por sidoqoftë, gjatë këtyre proceseve ne arrijmë në përfundimin se jetojmë në një demokraci të madhe, ku gjërat ecin edhe kur kemi mosmarrëveshje”.

Elenor Holms Norton shërben tani mandatin e saj të nëntë 2-vjeçar si anëtare e kongresit nga kryeqytetin amerikan, Uashington. //ze//