Ndikimi i telefonave celularë tek shëndeti

Me plakjen, njeriu fillon të humbasë dëgjimin. Në një farë mase humbja e dëgjimit vjen nga mbiekspozimi ndaj zhurmës.

Studimet e reja tregojnë se edhe celularët luajnë rol në humbjen e dëgjimit. Sipas tyre, ata që përdorin telefonët celularë rreth një orë në ditë e kanë më të vështirë të kapin tinguj të frekuencave të larta, veçanërisht nga veshi i djathtë ku zakonisht mbajnë celularin. Sipas mjekut otolaringolog, Majkëll Hofer këta njerëz e kanë të vështirë të bëjnë dallimin midis gërmave, s, f, t apo z.

“Kur flasim, tingujt janë në frekuenca. Dhe zanoret janë në nivel më të ulët. Bashkëtingëlloret janë në nivele më të larta. Ata që humbasin dëgjimin e frekuencave të larta, nuk dëgjojnë mirë”.

Dëgjimi bëhet i mundur nga qime të vogla e të holla në vesh që përkulen nga zhurma. Zhurma e lartë bën që ato të dobësohen dhe të më në fund të vdesin.

Kërkuesit studiuan 100 njerëz që përdorin celularë dhe i krahasuan ata me 50 që nuk e përdorin. Studimi zgjati për 12 muaj. Kërkuesit zbuluan se përdoruesit e celularëve kishin më shumë humbje dëgjimi të frekuencës së lartë sesa ata që nuk e përdornin celularin. Studimi nuk shkaktoi shumë shqetësim midis përdoruesve të celularëve.

Otolaringologët, mjekët specialistë për veshin, hundën, e grykën, thonë se ekspozimi ndaj çdo zhurme të fuqishme mund të çojë në humbjen e dëgjimit.

"Bota është e zhurmshme dhe njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj ekspozimit të tepruar".

Autori i studimit paralajmëron përdoruesit e celularëve të vërejnë shenjat e para të humbjes së dëgjimit. Në se veshët ju nxehen apo ju bllokohen, largoje veten për ca kohë nga celulari. Në se veshët ju buçasin, kjo është gjithashtu shenjë e dëmtimit të dëgjimit. Studiuesit thonë se ky studim duhet të shoqërohet me të tjerë për të provuar një lidhje më të qartë mes celularëve dhe dëgjimit. (ze)