Masat kundër emigracionit të paligjshëm prekin fermerët amerikanë

Ekspertët e sektorit të bujqësisë thonë se shtimi i masave kundër emigracionit të paligjshëm ka pasur një ndikim të padëshiruar ndaj fermerëve amerikanë. Disa njerëz pretendojnë se kontrollet dhe kërcënimet për të ndjekur penalisht kompanitë që marrin në punë punëtorë pa dokumenta kanë rezultuar në një mungesë të ndjeshme të krahut të punës, që mund të shkaktojnë falimentimin e disa fermave, duke çuar kështu në ngritjen e çmimeve të ushqimeve.

Mijëra emigrantë pa dokumenta janë arrestuar ose deportuar pas bastisjeve të fundit në të paktën 7 qytete të mëdha amerikane. Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Majkëll Çertof, thotë se mesazhi është që emigracioni i paligjshëm nuk do të tolerohet.

“Për shumë vjet, ne e trajtuam emigracionin e paligjshëm vetëm duke dëgjuar fjalë të bukura nga politikanët. Mendoj se ne duhet t’i tregojmë publikut se jemi seriozë rreth zbatimit të ligjeve në formën e tanishme”.

Dhe zbatimi i ligjeve duket se po funksionon, ndoshta më shumë nga sa pritej. Sipas llogaritjeve, mbi 50 për qind e punëtorëve të të gjitha fermave në Shtetet e Bashkuara janë emigrantë të paligjshëm. Pa burimet e vazhdueshme të krahut të punës me kosto të ulët, që ata krijojnë, Sekretari i Bujqësisë së shtetit Viskonsin, Rod Nillsestun, thotë se shumë ferma nuk do të jenë në gjendje të funksionojnë.

“Nëse do të eliminohej krahu i punës së hispanikëve në bujqësi dhe në blegtori në Viskonsin, ne do të përballeshim me krizë. Nuk ka rrugëdalje tjetër”.

Fermat nuk janë të vetmet që mbështeten tek punëtorët pa dokumenta. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, thotë se ky qytet do të ‘rrënohej,’ siç shprehet ai, nëse emigrantët do të deportoheshin. Edhe destinacione popullore si Las Vegas do të dëmtoheshin. Donald Tejllër është kryetar i Sindikatës Punëtore të GuzhinJerëve.

“Jeta në Las Vegas do të ndalonte. Ne do të ndalonim në mes të rrugës. Emigrantët bëjnë çdo punë, nga pastrimi i dhomave, në shpërbimin e koktejit, gatimin dhe shërbimin e ushqimit deri tek pastrimi i kasinove”.

Disa shtete kanë marë masa për të tërhequr punëtorë emigrantë. Shteti i Uashingtonit në veri perëndim të Amerikës ka filluar transmetimin e reklamave për të tërhequr punëtorë fermash, duke premtuar paga më të larta dhe jetesë më të mirë. Arturo Rodrigez i Sindikatës së Bashkuar të Punëtorëve në sektorin e ushqimeve, thotë se shumë prej punëtorëve fshihen.

“Fakti është se ne kemi punëtorë të mjaftueshëm për të bërë punën që nevojitet. Ata kanë nevojë të ndjehen të mbrojtur, se familjet e tyre janë të mbrojtura. Në këtë mënyrë ata mund të vazhdojnë të punojnë në sektorin e bujqësisë”.

Departamenti amerikan i Punës thotë se po shqyrton programin e vizave për punëtorët e fermave për të gjetur mënyra që të shtohet numri i punëtorëve të ligjshëm, që hyjnë në vend. Por disa njerëz kanë frikë se masat e qeverisë mund të jenë tepër të vonuara për të shpëtuar të korrat e këtij viti. //kk//