Bërns: Vonimi i pavarësisë do të kishte krijuar destabilizim në rajon

Një zyrtar i lartë amerikan shprehet se një vonesë më e gjatë e pavarësisë do të kishte krijuar një destabilizim më të madh të rajonit. Nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns tha dje se Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin shtetin e ri të pavarur të Kosovës dhe e shohin pavarësinë e saj si fundin e “një procesi të gjatë dhe jo konsensual të shpërbërjes së ish Jugosllavisë”.

“Kosova e meriton të jetë e pavarur”, tha dje për rubrikën Pyet Amerikën të faqes elektronike American.gov nën-Sekretari i Departamenti Amerikan të Shtetit, Nicolas Burns. Duke iu përgjegjur pyetjeve të ndryshme që i bëheshin në këtë faqe elektronike, zoti Burns tha se “Serbia nuk kishte asnjë të drejtë mbi Kosovën pas dhunës së saj brutale dhe të pajustifikueshme kundër komunitetit shpiqtar në Kosovë në vitet 1998-1999”.

Përveç rolit të tyre në forcat paqeruajtëse të NATO-s, Shtetet e Bashkuara në mënyrë aktive kanë mbështëtur për vite me rradhë proceset diplomatike të iniciuara nga Kombet e Bashkuara midis Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet Grupit të Kontaktit, me përfaqësues nga Bashkimi Evropian, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, tha zoti Burns. “Pas disa vitesh përpjekjesh që nuk sollën rezultat, kishte nevojë për një zgjidhje përfundimtare”, u shpreh nën-Sekretari Amerikan i Shtetit.

Zoti Burns mirëpriti ligjet e reja të miratuara këtë javë nga qeveria e Kosovës, të cilat mbrojnë të drejtat e minoritetit serb dhe të minoriteteve të tjera në shtetin e ri dhe u shpreh se Shtetet e Bashkuara gjithashtu e shohin si prioritet mbrojtjen e tyre. “Ne besojmë se e ardhmja e Kosovës duhet të jetë shumë etnike dhe me shumë besime fetare”, tha diplomati amerikan.

Kosova do të ketë nevojë për 2 miliard dollarë ndihma për t’u rimëkëmbur. Shtetet e Bashkuara, tha zoti Burns, gjatë vitit 2007 i kanë dhënë Kosovës 77.7 milion dollarë ndihma dhe pritet që këtë vit t’i japë 412 milion dollarë të tjerë. Ai shtoi se në konferencën e ardhshme të donatorëve, Shtetet e Bashkuara do të punojnë energjikisht për inkurajimin e vendeve të tjera në këtë drejtim. //kk//