Përpjekje për të parandaluar aksidentet rrugore

Rreth 1,000 ekspertë nga e gjithë bota u mblodhën në Merida të Meksikës për të diskutuar se si mund të parandalohen fatkeqësi të tilla si dëmtimet trupore nga rrëzimet aksidentale, nga djegiet, mbytjet, dhuna në familje e të tjera. Një nga temat së cilës iu kushtua vemendje e veçantë ishin aksidentet rrugore, sidomos në vendet në zhvillim.

Shqipëria është ndër vendet me aksidente të shpeshta rrugore. Por ajo nuk është e vetme. Në shkallë botërore, aksidente të tilla shkaktojnë vdekjen e rreth 1.2 milion njerëzve në vit. Ja ç’thotë Dr. Etien Krug i cili kryeson programin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e aksidenteve. "Aksidentet e trafikut janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në botë. Ato janë gjithashtu një faktor i dëmtimeve të shumta trupore nga të cilat njeriu nuk vdes por që shkaktojnë një numër të jashtëzakonshëm rastesh paaftësie dhe vuatjesh trupore."

Dr. Krug thotë se shumica e këtyre dëmtimeve, rreth 90 përqind, ndodhin në vendet me të ardhura të ulta e të mesme. "Çdo ditë dhe kudo në botë ne shikojmë të ndërtohen rrugë të reja, shikojmë makina të reja, dhe njerëz të rinj që i ngasin ato. Kjo është diçka e mirë deri në një farë mase por për fat të keq këto nuk shoqërohen me masa sigurie."

Sipas ekspertit indian, Prof. Dinesh Mohan, kjo gjendje nuk duket se do të ndryshojë. "Gjendja keqësohet kryesisht për shkak të mënyrës se si vendet në zhvillim duan të kthehen në shoqëri të motorizuara. Ne po ndjekim një model jetese ku qendrat e banimit janë të ndara nga njëra tjetra dhe ku nuk inkurajohet ecja apo bicikleta."

Profesor Mohan thotë se ndikimi i aksidenteve rrugore në jetën e vendeve me të ardhura të ulta është tepër i dhimbshëm. "Është një tragjedi e vërtetë sepse kur një pjestar i familjes dëmtohet, e gjithë familja shkatërrohet. Shpesh ata humbasin punën, paratë e familjes, ndonjëherë u duhet të shesin shtëpinë për t’u mjekuar."

Megjithatë, disa masa të thjeshta që përdoren në vendet me të ardhura të larta mund t’i pakësojnë dëmtimet nga aksidentet në vendet e varfëra dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë po përpiqet t’i përhapë sa më shumë masa të tilla. "Ne përpiqemi të bindim njerëzit që të mbajnë helmeta kur ngasin biçikletën, të venë rripin e sigurimit në makinë, të luftojmë ngarjen e makinës në gjendje të dehur, apo kalimin e shpejtësisë. Gjëra të tilla zbatohen në vendet e zhvilluara por ende jo në ato me të ardhura të ulta."

Në Meksikë, urbanizimi në rritje dhe zhvillimi i shpejtë ekonomik ka çuar në shtimin e numrit të aksidenteve të trafikut, të vdekjeve dhe plagosjeve nga këto aksidente. Dr. Arturo Cervantes është ekspert i kësaj fushe. "Shkaku i parë i vdekjeve te fëmijët e moshës 5-15 vjeç janë aksidentet rrugore. Po kështu edhe tek të rinjtë e moshave 15 deri në 30 vjeç."

Shifrat janë në rritje të shpejtë prandaj Presidenti i Meksikës Felipe Calderon, e ka bërë sigurinë e trafikut një përparësi kombëtare. Ai ka deklaruar se synon që vdekja nga aksidentet rrugore të ulet deri në 40 përqind gjatë 5 viteve të ardhshëm. Meksika ka filluar një fushatë për t’i bërë rrugët më të sigurta dhe për të ulur numrin e vdekjeve dhe plagosjeve nga aksidentet. Për këtë qëllim është ngritur një komitet kombëtar, ku marrin pjesë përfaqësues të shëndetësisë, të policisë, kompanive private dhe të medias. Ky komitet ka përcaktuar përparësitë e tij.

Dr. Etien Krug shpreson se edhe vende të tjera do të fillojnë projekte të ngjashme dhe se agjencitë e ndryshme qeveritare dhe ndërqeveritare të zhvillimit do të investojnë në aspektin e sigurimit të trafikut. "Ka rëndësi të kuptohet se aksidentet e trafikut vrasin po aq shumë njerëz sa edhe malaria që është një tjetër problem i shëndetit publik por për të cilën investimet janë shumë më të mëdha se sa ato për sigurinë e trafikut."

Kostoja e përgjithshme e aksidenteve rrugore është sot më e lartë se sa ndihmat për zhvillim që marrin qeveritë, prandaj programet për parandalimin e aksidenteve rrugore mund të jenë një investim në kohën e duhur. //ad//