Cila është kostoja reale e luftës në Irak për Shtetet e Bashkuara

Lufta e Shteteve të Bashkuara në Irak vazhdon prej më shumë se 5 vjetësh. Mijëra ushtarë amerikanë dhe irakianë janë vrarë, ose plagosur në konflikt. Veç numrit tragjik të të vrarëve, lufta po ashtu i ka kushtuar së tepërmi financiarisht Shteteve të Bashkuara. Por, përcaktimi i kostos së saktë të shpenzimeve të luftës është e ndërlikuar, por njëkohësisht, edhe një çështje shumë e ndjeshme politike.

Mosmarrëveshjet lidhur me luftën në Irak kanë marrë një dimension të ri, ndërsa ekonomistët dhe politikanët ngrenë shqetësime përherë e më të mëdha lidhur me çështjen, se sa shumë po u kushton ajo taksapaguesve amerikanë. Por ekonomistët thonë se përcaktimi i shifrave të sakta është një problem i komplikuar dhe mes tyre ka mosmarrëveshje të mëdha lidhur me koston reale.

Joseph Stiglitz, është fitues i çmimit Nobel për ekonominë. Ai thotë se kostoja e luftës tashmë e ka kaluar shifrën e një trilionë dollarëve dhe eventualisht do të arrijë në tre trilionë, ose edhe më tepër. "Ky është vlerësimi ynë, një vlerësim i konservator, lidhur me koston e vërtetë të luftës. Kjo përfshin shumën që ne tashmë e kemi shpenzuar dhe atë që do të shpenzohet në të ardhmen; për shembull, për kujdesin ndaj personave që kanë pësuar dëmtime, si dhe përfitimet shëndetësore të veteranëve tanë që kthehen nga lufta. 40 për qind e tyre do të kthehen me të meta fizike dhe shumë prej tyre do të kenë nevojë për kujdes gjatë gjithë jetës."

Disa vlerësime të tjera, si ato të Zyrës së Buxhetit në Kongres, janë më të ulëta. Por të gjitha vlerësimet janë të përafërta, se kostoja do të jetë të paktën një trillionë dollarë, një shifër kjo tronditëse dhe tepër e vështirë për t’u kuptuar.

Kjo është një shifër mjaft e ndryshme nga ajo që administrata Presidentit Bush përmendte para ndërhyrjes së vitit 2003. Në një program të televizionit ABC, ‘This Week”, Sekretari i Mbrojtjes i asaj kohe, Donald Ramsfeld, hodhi poshtë çdo përllogaritje tjetër. "Zyra e Buxhetit në Kongres përllogarit se kostoja do të ishte diçka nën 50 miliardë dollarë. Sipas vlerësimeve nga jashtë, kjo shifër mund të kapë vlerën e deri në 300 miliardë dollarëve," shprehet gazetari. Zoti Ramsfeld përgjigjet: "Aspak e vërtetë".

Po përse kjo mospërputhje e madhe shifrash? Zoti Stiglitz dhe analistë të tjerë thonë, se arsyeja e vetme është që administrata e Presidenti Bush nuk priste kurrë që lufta të zgjaste kaq gjatë. "Mendoj, se kur e përfytyronin luftën, zyrtarët kishin në mendje atë që mund të cilësohet si fantazi, se ata do të shiheshin si shpëtimtarët, e do të priteshin me lule".

Shtëpia e Bardhë i hedh poshtë shifrat e reja të zotit Stglitz, megjithëse një zëdhënës thotë se, në varësi të rrethanave, është e vështirë të parashikosh koston e ardhshme të luftës. Vlerësime të ndryshme, që tani po qarkullojnë, theksojnë se debati lidhur me koston e luftës në të ardhmen, do të vazhdojë, me vazhdimin e luftës.

Piter Orsazag, drejtor i Zyrës së Kongresit për Buxhetin, thotë se vlerësimet e zotit Stiglitz janë tepër të larta, pasi ato përfshijnë edhe elementë të tjerë, veç kostos së drejtpërdrejtë mbi buxhetin federal. “Ky është koncept tjetër. Ata masin një kocept tjetër kostoje. Unë jam bashkëautor studimesh me Joe Stighlizin, po rnë këtë rast ka shsumë kontradikta lidhur me kostot e tjera.”

Ai thotë, se zoti Stiglitz, në veçanti, mbithekson koston e shërbimit shëndetësor për veteranët e Irakut dhe Afgansitanit. Ndërsa Steve Kosiak, analist në Qendrën për Analiza Strategjike dhe Buxhetore, thotë se pagesat e interesit për borxhet shtesë të shkaktuara nga lufta, po ashtu, kontribuojnë tek vlerësimet më të larta. “Këtë luftë ne po e finassncojmë me para borxh, duke marrë hua. Kjo është ndryshe nga luftrat e tjera, për të cilat kemi rritur taksat, ose të paktën kemio shkurtuar disa programe të tjera për të paguar për to. Dhe interesat që po paguajmë janë të larta, qindra miliarda dollarë gjatë dekadës së ardhshme”.

Edhe familjet e ushtarëve kanë përjetuar tashmë një çmim të lartë, atë të humbjes së jetës së djemve dhe vajzave të tyre. Por analistët thonë se pesha e barrës ekonomike të luftës në Irak sipas gjasave, mund të transmetohen deri tek gjenerata e re. //ad//