Papa Benedikt i XVI mban sot fjalim në Kombet e Bashkuara

Papa Benedikti XVI do të vizitojë sot Nju Jorkun dhe ndalesa e tij e parë do të jetë në selinë e Kombeve të Bashkuara, ku do të flasë përpara Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate. Papa gjithashtu do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm dhe do të ketë mundësi të përshëndesi stafin e Kombeve të Bashkuara.

Vizita e Papës vjen ekzaktësisht një vit pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Vatikan. Zoti Ban, duke folur me gazetarë, i dha atyre një ide rreth temave që ai do të diskutonte me Papën gjatë takimit të tyre.

“Mendoj të diskutoj me të rreth disa problemeve, duke filluar nga zhdukja e varfërisë, programit të zhvillimit të mijëvjeçarit, ndryshimet klimatike, dialogu midis qytetërimeve. Këto kohë, ne jemi duke u përballuar me shumë sfida. Ne kemi nevojë për një mbështetje të madhe shpirtërore nga Papa. Vërtet që jam optimist për takimin me të”.

Vizita e fundit e një Pape në Kombet e Bashkuara ishte ajo e Papa Gjon Palit të Dytë, i cili për herë të parë erdhi në vitin 1979 dhe më pas në vitin 1995. I vetmi Papë tjetër që ka vizituar organizatën botërore ishte Papa Poli i Gjashtë, në vitin 1965.

Arqipeshku Çelestino Miljore, përfaqësuesi i Papës në Kombet e Bashkuara, dha një ide rreth fjalimit të Papës përpara Asamblesë së Përgjithshme.

“Ndoshta, Papa Benedikt nuk do të përqendrohet në ndonjë problem specifik krize në botë, pasi për fat të keq ka shumë të tillë për t’i përmendur në pak minuta. Por, sigurisht që duke ardhur në Kombet e Bashkuara si një pelegrin i paqes, ai do të thotë se ne nuk mund të mbështesim marrëdhëniet tona mbi nocione të rreme për të ‘ndryshuar gjërat për mirë’, që nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë thjesht duke balancuar pushtetet. E ardhmja jonë duhet të mbështetet në respektin për të drejtën universale dhe humanizmin e përbashkët.”

Pas fjalimit të Papës përpara Asamblesë së Përgjithshme, ai do të takohet me disa zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe më pas do të bisedojë me disa qindra punonjës të kësaj organizate.

Në një ceremoni të vogël, një djalë dhe një vajzë do t’i japë atij një buqetë me lule dhe më pas, kori i Shkollës Ndërkombëtare në Kombet e Bashkuara do të këndojë për të.

Përpara largimit, Papa Benedikt do të qëndrojë në një dhomë meditimi, ku ndodhet një flamur në kujtim të 22 të vrarëve nga një shpërthim në vitin 2003 në selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Bagdat. Më pas, Papa do të vizitojë në qytet Kishën Katolike të Shën Jozefit dhe një sinagogë hebraike në Parkun Lindor. //iç//