Ligj për emigracionin e paligjshëm në një komunë afër Uashingtonit

  • Zulima Palacio

Komuna Princ Uilliam në periferi të shtetit Virxhinia, pranë Uashingtonit, po tërheq vëmendjen e të gjithë Shteteve të Bashkuara me zbatimin e ligjeve lokale që çojnë në dëbimin e qindra imigrantëve të paligjshëm, të cilët aktivistët e komunitetit i fajësojnë si shkaktare të një mjedisi armiqësor për të gjithë imigrantët.

Jovani Baraona është nga El Salvadori.

“Ёshtë e vërtetë që ne jemi imigrantë të paligjshëm, por kemi ardhur për të punuar dhe jo për të vjedhur apo për të dëmtuar të tjerët.”

Ashtu si zoti Baraona, qindra punëtorë të tjerë me mëditje në të gjithë komunën presin për orë të tëra me shpresën për të gjetur ndonjë punë. Ata nuk pranojnë të dalin para kameras. Rreth tyre, policë me makina policie apo civile presin gjithashtu, duke vëzhguar nëse ndonjëri prej tyre shkel ligjin.

Kapiteni i policisë së komunës Princ Uilliam, T.A. Rudy thotë se mëngjeseve në një vend të caktuar mblidheshin gati deri në 100 punëtorë. Por kjo nuk ndodh më.

“Ne nuk i kontrollojmë tani, sepse ata nuk po bëjnë ndonjë gjë të paligjshme.”

Kapiteni Rudi i referohet ligjit të ri të komunës, i cili e lejon policinë të kontrollojë statusin e imigracionit të çdo personi që ata dyshojnë se ka shkelur ligjin. Një nga përkrahësit kryesor të ligjit është Kori Stjuart, kryetar i bordit të mbikqyrësve të komunës.

“Që nga 7 korriku 2007 ne kemi larguar nga vendi 468 imigrantë të paligjshëm që kanë kryer krime në Shtetet e Bashkuara. Kemi edhe 280 të tjerë në pritje për t’u dëbuar ose në qendrën e paraburgimit të komunës.”

Zoti Stjuart i hedh poshtë kritikat se ligji është diskriminues, se përbën profilizim racor dhe se harxhon paratë e taksapaguesve. Ai e mohon gjithashtu se ligji ka ndikim negativ në ekonominë e vendit.

“Një nga arsyet pse vlera e shtëpive ka rënë kaq shpejt në komunën e Princ Uilliamit gjatë një apo dy vjetëve të fundit është se çmimet e tyre u rritën tej mase gjatë një periudhe 10-vjeçare. Kur ndërtonim pesë mijë shtëpi në vit, vlera u rritej atyre me 20 përqind në vit, dhe kjo krijoi një flluskë, që tani ka plasur.”

Zoti Stjuart thotë se në këtë komunë jetojnë rreth 40 mijë imigrantë ilegalë. Por aktivistja e komunitetit Araseli Paname thotë se numri nuk arrin në më shumë se 15 mijë. Zonja Paname është analiste për një grup që mbron të drejtat e pronarëve të shtëpive të quajtur Qendra për Kreditë e Përgjegjshme. Ajo thotë se ligji i komunës për imigracionin e ka ndarë komunitetin dhe arrin thuajse në një profilizim racor.

“Katër gënjeshtra qarkullojnë në komunitetet tona për latinët: se ne nuk flasim anglisht, se jemi të pashkolluar, se fëmijët tanë nuk shkojnë në shkolla dhe se ata janë pjesëtarë bandash dhe kriminelë, dhe këto janë fare të pavërteta.”

Zonja Paname thotë se bankat kanë konfiskuar nga pronarët mijëra shtëpi në komunën Princ Uilliam – shifra më e lartë në shtetin e Virxhinias dhe në rajonin e Uashingtonit. Ajo thotë se kjo gjë, së bashku me një mjedis armiqësor ndaj imigrantëve, kanë pasur ndikim negativ ekonomik tek komuniteti.

“Një numër biznesesh të vogla kanë deklaruar humbje nga të ardhurat në masën 40 përqind për bizneset amerikane dhe deri në 90 përqind për ato latine.”

Karlos Kastro është aktivist komuniteti dhe pronar i supermarketit Todos. Ai thotë se bizneset e vogla po mbyllen dhe shumë njerëz po largohen nga kjo zonë për shkak të retorikës kundër imigracionit, e cila i bën ata të ndjehen të padëshirueshëm.

“Virxhinia konsiderohej një vend i mirë për biznes. Nuk mendoj se njerëzit do ta shohin atë njëlloj nëse bordi vazhdon me këtë ligj.”

Aktivistët Paname dhe Kastro thonë se bordi mbikqyrës po përpiqet të ndërmarrë edhe masa të tjera kundër imigrantëve të paligjshëm, çka mund të kthehet në një gjueti të shtrenjtë shtrigash. (ze)