"Amnesty", kritika ndaj UNMIK-ut dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë

Në raportin vjetor të kësaj organizate thuhet mes tjerash se Misioni i Kombeve të Bashkuara ka dështuar të kompensojë personat të drejtat e të cilëve shkelen nga pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar. Organizata i ka cilësuar ta paligjshme vrasjet e dy shqiptarëve të rinj në protestën e 10 shkurtit të vitit të kaluar të Lëvizjes Vetëvendosja dhe vë theksin edhe mbi ndershmërinë në procesin gjyqësor që është zhvilluar kundër udhëheqësit të kësaj lëvizjeje Albin Kurti. Organizata thotë se, prokuroria ishte e politizuar dhe se procedurat që janë zhvilluar përpara një trupi ndërkombëtar të gjykatësve me mungesë të pavarësisë gjyqësore.

Amnesty International tërheq vëmendjen edhe në lëvizjet e siç thuhet të kufizuara të te pjesëtarëve të komunitetit serb dhe atij rom nga frika e sulmeve ndëretnike duke përmendur rastet e sulmeve me gurë në autobusët që bartnin udhëtarë serbë si dhe një sulm me garantë dore mbi një autobusë që bartte udhëtarë shqiptarë në veri të Kosovës. Në raportin e kësaj organizate thuhet se nga 600 deri në 700 raste mbeten ende të pazgjidhura në lidhje me trazirat e dhunshme të marsit të vitit 2004.


Në raport shprehet shqetësimi për dhunën kundër femrave dhe vazhdimin e trafikimit dhe detyrimit të viktimave në prostitucion si dhe dështimin e autoriteteve për të ndihmuar dhe mbështetur viktimat e trafikimit. Raporti vë në pah edhe siç thuhet mungesën e hetimeve të shpejta, problemet me mbrojtjen e dëshmitarëve, grumbullimin e lëndëve të pazgjidhura dhe numrin në rënie të gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë për të shqyrtuar edhe rastet e krimeve te luftës.

Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të autoriteteve të Misionit të Kombeve të Bashkuara. Një zëdhënës i këtij misioni tha shkurt se UNMIK-u i shqyrton raportet e tilla sikurse edhe të gjitha organizatave joqeveritare që merren me Kosovën por është politikë e tij që të mos komentojë përmbajtjen e tyre. Nuk ka pasur ndonjë reagim as nga institucionet vendase të drejtësisë e cila përballet me mjaft vështirësi. Për këtë arsye është planifikuar që rreth 2 mijë policë, gjykatës e prokurore evropian dhe amerikan të vendosen në Kosovë në kuadër të Misionit të Bashkimit Evropian për policin dhe drejtësinë.

Por, fillimi i punës së këtij misioni të njohur tashmë me emrin EULEX i planifikuar më 15 qershor kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e vendit pritet të shtyhet për një periudhë kohore nëse në ndërkohë nuk arrihet ndonjë zgjidhje në debatet e dendur ndërmjet Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.