BE-ja përshëndet marrëveshjen për koalicionin qeveritar në Serbi

Bashkimi Evropian përshëndeti marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe asaj demokratike për një koalicion qeverisës, duke e quajtur një shans të vërtetë që ky vend të krijojë një qeveri evropiane.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin Olli Rehn u tha sot gazetarëve në një konferencë për Ballkanin në Bruksel se ai do të punojë me kënaqësi me koalicionin e ri qeveritar.

Ai tha se Bashkimi Evropian prej kohësh kishte shpresuar që në Serbi të vendosej një qeveri e orientuar nga reformat.

Udhëheqësit e Partisë Socialiste Serbe votuan dje që të hyjnë në një koalicion pro-evropian me ish-rivalët e tyre të Partisë Demokratike. Ky koalicion po formohet nga Presidenti Boris Tadiç.