Ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Uidhërs viziton Gërdecin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Xhon Uidhers, dhe ministri shqiptar i mbrojtjes Gazmend Oketa, vizituan sot fshatin Gërdec që ndodhet në perëndim të Tiranës për të ndjekur nga afër operacionin e pastrimit te zonës nga materialet e rrezikshme të shpërndara pas shpërthimeve të 15 marsit.

Diplomati amerikan dhe shefi i mbrojtjes shqiptare diskutuan me ekspertë vendas dhe të huaj për ecurinë e operacioneve të pastrimit dhe mbështetjen teknike në përpjekje për të ulur shkallen e rrezikut në zonën e Gërdecit.

Ambasadori amerikan Uidhers tha se ekspertet kanë detyrë të rrisin sigurinë e jetës për banorët e zonës dhe do të kenë mbështetje për të mbledhur dhe çaktivizuar materialet e rrezikshme.

“Ështe një përvojë emocionuese vizita në Gërdec, këtu ku vetëm pak kohë më parë ndodhi nje ngjarje e rëndë me humbje tragjike te jetëve njerëzore. Ne duhet të përkujtojmë njerzit që vdiqën- pleq, gra burra dhe fëmijë, që u plagosën nga shpërthimi që u ndryshoi atyre jetën përgjithmonë. Kanë kaluar vetëm 20 javë nga shpërthimi, megjithatë ende mbetet një punë shumë e madhe për tu bërë. Bashkëpunimi shqiptaro – amerikan do të arrijë të ngrejë një jetë të sigurtë në Gërdec në një kohë sa më të shkurtër”– tha ai.

Ndërsa ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa deklaroi se rreziqet për shpërthime të reja nuk ekzistojnë. Kontrolli i zonës ka përfunduar dhe nuk ka ndotje kimike apo bioligjike.

Një sasi e madhe materialesh ushtarake shpërthyen në flakë mesditën e 15 marsit në një ndërtesë të ushtrisë shqiptare gjatë shkatërimit në Gërdec të predhave të artilerisë në një incident ku humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën rreth 200 të tjerë. //ad//