Menaxheri i fushatës së kandidatit presidencial republikan Xhon Mekein u tha gazetarëve përmes një bisede telefonike, se Presidenti Bush do t’u flasë delegatëve në Sent Pol të Minesotës, me satelit nga Shtëpia e Bardhë. Zoti Bush e anuloi pjesëmarrjen e planifikuar në kuvend dje për të qënë më pranë përgjigjes së qeverisë federale ndaj uraganit.
Menaxheri i fushatës së zotit Mekein tha se mes folësve të tjerë të ditës së sotme do të jenë ish-senatori Fred Tompson, si edhe senatori Joe Liberman që e quan veten demokrat të pavarur. Zoti Liberman ishte kandidati për nënpresident i Partisë Demokrate në vitin 2000, por tani është përkrahës i fortë i zotit Mekein.
Xhon Mekein i cili do të pranojë kandidaturën këtë javë, e kaloi ditën dje në Ohio, duke u përqëndruar në stuhinë që preku bregun e Gjirit.
Bashkëshortja e zotit Mekein, Sindi, u bashkua me zonjën e parë Laura Bush duke iu drejtuar delegatëve dje, që të lënë mënjanë ndarjet politike dhe të kontribuojnë në përpjekjet e shpëtimit.//lk