BE-ja nuk bie dakord mbi përfitimet tregëtare për Serbinë

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian nuk arritën të bien dakort për zgjerimin e përfitimeve të reja tregëtare për Serbinë, megjithë një raport pozitiv nga kryeprokurori i Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi lidhur me bashkëpunimin e Beogradit me Gjykatën e Hagës.

Hollanda bllokoi marrëveshjen e njëzëshme, që kërkohet për zgjerimin e përfitimeve, duke këmbëngulur se autoritetet serbe duhet të arrestojnë më parë të dyshuarin për krime lufte dhe komandantin e lartë të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç.

Ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, theksoi mbështetjen që vendet e tjera anëtare të organizatës i kanë dhënë Serbisë.

Më parë kryeprokurori i Hagës Serxh Bremerts informoi ministrat për bashkëpunimin e Serbisë me gjykatën. Javën e kaluar ai shpreu optimizëm të rezervuar rreth shanseve për të arrestuar të kërkuar të tjerë.

Zyrtarët e BE-së e cilësuan arrestimin dhe transferimin në Hagë të ish udhëheqësit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç në korrik, si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin me gjykatën. (ze)