OKB: Asambleja e Përgjithëshme voton pro kërkesës së Serbisë

  • Margaret Beshir
    Nju Jork

Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara miratoi kërkesën që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë opinionin e saj, nëse shpallja e pavarësisë nga Kosova përputhet apo jo, me të drejtën ndërkombëtare.

Rezultati i votimit sot në Asamblenë e Përgjithshme ishte 77 vota pro, 74 abstenime dhe 6 vota kundër.

Shumë nga vendet që abstenuan apo që votuan kundër rezolutës për t'ja referuar çështjen Gjykatës, thanë se e bënë këtë, pasi Serbia po i kalonte një organi juridik një çështje që në thelb është politike.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë është organi kryesor juridik i Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara ishin një prej 6 vendeve që votuan kundër rezolutës. Përfaqësuesja amerikane Rozmari DiKarlo tha se kërkimi i opinionit të gjykatës për këtë çështje do të ishte "i panevojshëm dhe i dëmshëm", dhe ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë besim se njohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër gjithnjë e më i madh vendesh është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

"Nga pikëpamja praktike, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. 48 vende e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur, përfshirë 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian,"- tha zonja Di Karlo.

Por Afrika e Jugut, që votoi pro rezolutës, tha se vetëm njohja nuk mjafton. Ambasadori Dumisani Kumalo:

"Ndërsa është e vërtetë që 48 vende e kanë njohur Kosovën, po ashtu është e rëndësishme që 144 vende të tjera anëtare të OKB-së nuk kanë marrë ende një vendim."

Britania abstenoi nga votimi dhe më pas, ambasadori Xhon Sojers tha se ndërsa qeveria e tij e mbështet gjykatën ndërkombëtare, ajo është skeptike përsa i takon qëllimit të të kërkuarit të një vendimi, që nuk ka fuqi ligjore, për këtë çështje.

"Për ne nuk ka kuptim kërkesa e bërë nga Serbia. Opinioni këshillues nuk mund të jetë në vetvete përcaktues për statusin e Kosovës,"- tha ai.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç e paraqiti rezolutën në Asamble, duke thënë se votimi kundër saj do të thoshte se asgjë nuk mund të bëhet ndaj gjithë atyre që kërkojnë shkëputje dhe argumentojnë se rasti i tyre është i veçantë.

Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni u tha gazetarëve në OKB, se miratimi i rezolutës, do të dëmtonte marrëdhëniet në të ardhmen mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të ngadalësonte procesin e njohjes së vendit të tij.

Analistët thonë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi këtë çështje do të marrë nga një deri në dy vjet. Disa diplomatë shprehën shqetësim se një vonesë e tillë nuk është në interes të stabilizimit të Ballkanit të jugut.//lk