Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, i bëri këto komente sot në Shën Petersburg. Franca mban kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian.
Zoti Kushner tha se udhëheqësit rusë dhe evropianë do të takohen për bisedime të nivelit të lartë më 13 e 14 nëntor në Francë për të rifilluar bisedimet e ndërprera pas sulmit ushtarak rus ndaj Gjeorgjisë dy muaj më parë.
Marrëveshja ekzistuese 10 vjeçare mbi partneritetin Rusi-BE, e nënshkruar më 1997 u përtëri automatikisht vitin e kaluar për të mbuluar vonesat mbi arritjen e një marrëveshjeje të re. Çdo marrëveshje e re pritet të marë parasysh shtimin e ndikimit të Rusisë si furnizuese me energji dhe praninë gjithnjë e më të madhe të saj në çështjet ndërkombëtare.
25 përqind e gazit natyror që përdor Evropa perëndimore furnizohet nga Rusia, ndërkohë që Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Rusisë.