Presidenti i ri përballet me sfida të mëdha në politikën e jashtme

Festimet për zgjedhjen e Barak Obamës si president i Shteteve të Bashkuara, tani po ia lënë vendin përpjekjeve të presidentit të ardhshëm dhe ekipit të tij për të bërë zgjedhjet e nevojshme për sfidat që i presin me fillimin e mandatit në janar. Siç njofton nga Hjustoni korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus, ekspertët politikë dhe analistët e politikës së jashtme thonë se presidenti i ri do të përballet me sfida të vështira që në fillim.

Sapo të fillojë detyrën Presidenti i sapozgjedhur Obama, do të gjendet përballë problemeve të lëna pas nga Presidenti Bush, përfshirë krizën financiare, luftrat në Irak dhe Afganistan, mundësia që Irani të prodhojë armë bërthamore dhe një numër situatash të tjera që kërkojnë vëmendje të menjëherëshme.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin Rice Ërl Blek, bashkëautor i librit Amerika e Ndarë, thotë se presidentëve të rinj u është dashur shpesh të përballen me probleme të lëna pas nga paraardhësi i tyre.

“Ai do të përballet për shembull me një situatë të ngjashme me atë që e priti presidentin republikan Ronald Regan, kur mori pushtetin në janar të vitit 1981. Ai do të trashëgojë të gjitha problemet që kanë lidhje me administratën paraardhëse”.

Profesori Blek thotë se një problem për Presidentin e ardhshëm Obama mund të jenë shpresat e mëdha që ai ngjalli tek përkrahësit e tij.

“Duke pasur parasysh se mesazhi i Obamës e vuri theksin tek shpresa dhe ndryshimi dhe në përgjithësi ai foli në vija të përgjithshme për to, ai ka tërhequr pa dyshim miliona përkrahës dhe ndoshta jo të gjithë ata kanë të njëjtën ide për llojin e ndryshimit që duan dhe se çfarë shpresash duan të përmbushin”.

Ndër sfidat më të mëdha dhe më shqetësuese që e presin presidentin e ri, janë ato për politikën e jashtme. Piter Zaihan, nënpresident i Analizës për Stratforin, një kompani private zbulimi dhe analize në Teksas thotë se të gjithë presidentët që hyjnë në Shtëpinë e Bardhë e kuptojnë që i kanë alternativat e kufizuara. Por, thotë ai, Presidenti Obama do të përballet me disa probleme specifike.

“Së pari, është Iraku. Ai u ka premtuar përkrahësve të tij se do të tërhiqet sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë nëse nuk do që të rikthehet dhe të dislokojë trupat e të fillojë luftë me Iranin, pas një ose dy vjetësh, ai duhet të tregojë kujdes në realizimin e këtij synimi. Duhet të ketë një farë marrëveshjeje me Iranin për të ardhmen e Irakut. Nëse nuk bëhet një gjë e tillë dhe thjesht tërhiqen trupat, asgjë nuk do ta ndalonte Iranin ta merrte situatën në dorë, direkt ose indirekt”.

Një lëvizje e tillë nga ana e Iranit, thotë zoti Zaihan, do të përbënte rrezik për rezervat e naftës së Gjirit Persik dhe do ta bënte të detyrueshme një ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara. Zaihan thotë se gjendja në Afganistan dhe fakti që luftëtarët Talebanë kanë gjetur strehim në Pakistanin fqinj, do të jenë gjithashtu sfida për Presiedentin Obama.

“Zoti Obama ka thënë se do të sjellë ndryshim në këtë konflikt duke afruar evropianët dhe duke u bërë thirrje aleatëve të NATO-s të bëjnë më shumë. Por siç e ka parë administrata e Presidentit Bush, evropianët në radhë të parë nuk i kanë forcat e mjaftueshme për të dislokuar, së dyti nuk duan në përgjithësi t’i dislokojnë ato në situata konflikti dhe së treti për shkak të krizës financiare globale, shumë prej tyre po i tërheqin forcat nga Afganistani”.

Zaihan thotë se presidenti i ri do të rrezikonte të provokonte konflikt me Pakistanin nëse dërgon forca amerikane përtej kufirit të Afganistanit për të ndjekur talebanët dhe al-Kaidën.

Ai thotë se problemi i tretë i sigurisë me të cilin do të përballet administrata e Presidentit Obama në arenën ndërkombëtare, është fuqizimi i Rusisë, e cila po i kundërshton me agresivitet përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për ta zgjeruar NATO-n duke përfshirë vendet e Evropës Lindore.

Zaihan thotë se alternativat e Shteteve të Bashkuara do të jenë të kufizuara në vitet e ardhshme sepse vendi po përdor maksimumin e kapacitetit ushtarakisht dhe financiarisht. //kk///