Qindra policë grekë kanë mbushur rrugët e Athinës në protesta ndaj akteve të fundit të dhunës dhe shtimit të sulmeve nga ekstremistët e majtë ndaj forcave të rendit.
Nuk ka pasur njoftime për akte dhune sot, gjatë protestës së policëve në sheshin qendror të Athinës.
Trazirat e muajit të kaluar vazhduan për ditë të tëra në Athinë, Selanik dhe qytete të tjera, të nxitura nga vrasja e një adoleshenti nga zjarri i policisë në kryeqytetin grek. Protestuesit më pas i përqendruan sulmet tek policët në incidentet e 23 dhjetorit dhe 5 janarit.
Një polic u plagos rëndë në sulme për të cilat mori përgjegjësinë grupi i ekstremit të majtë “Lufta Revolucionare.”
Protesta e sotme përkon me shtimin e kërcënimit të ekstremit të majtë ndaj forcave të rendit. Kjo organizatë ka thënë se sulmet e fundit ishin shpagim për vrasjen e adoleshentit më 6 dhjetor. (ze)