Zvicër: Mbyll punimet Forumi Ekonomik i Davosit

Në Davos, u mbyll forumi ekonomik botëror, i cili kësaj here u karakterizua nga një atmosferë e zymtë për shkak të krizës ekonomike dhe financiare globale. Pjesmarrësit largohen nga Davosi i ftohtë për t'u përballur me një realitet po aq të ftohtë financiar, ku rigjallërimi ekonomik komplikohet nga frika e trazirave sociale dhe e papunësisë në rritje.


I zhytur në një atmosferë pavendosmërie dhe pasigurie, forumi ekonomik botëror i cili grumbullon njerëzit më të shquar të qeverive dhe biznesit, nuk arriti të dalë me një plan të ri për të frenuar krizën financiare globale.

Fituesi i Çmimit Nobel për ekonominë, Josef Stiglitz tha se Davosi është normalisht një forum pozitiv, por këtë vit delegatët shfaqën gjithnjë e më shumë pesimizëm ndërsa mësonin mbi përmasat e problemeve me të cilat përballen.

"Zakonisht efekti i forumit është që njerëzit mendojnë me optimizëm mbi të mirat e globalizimit. Por këtë herë ata u bënë më pesimistë kur mësuan për problemet me të cilat përballet secili prej tyre. Pra, në këtë kuptim, Davosi thuajse me siguri kontribuoi në thellimin e atmosferës së zymtë." - tha ai

Forumi i Davosit u mbyll në të njëjtën atmosferë të zymtë në të cilën filloi megjithëse në ditën e tij të fundit, themeluesi i forumit, Klaus Shuab përdori parrullën e fushatës së Presidentit amerikan Obama "Po, ne mund t'ja dalim" si thirrje për të zgjidhur krizën ekonomike botërore.

"Nga pikëpamja ekonomike, ky ishte natyrisht forumi më i zymtë që kemi patur ndonjëherë… Mendoj se ne duhet të theksojmë nocionin se ne mund t'ja dalim. Po, mund t'ja dalim. Mendoj se ky takim solli një numër idesh por kyçi është te bashkëpunimi global."

Komentet e zotit Shuab u pritën me duartrokitje të gjata nga pjesmarrësit të cilët do të largohen nga Davosi i ftohtë për t'u përballur me një realitet po aq të ftohtë financiar kudo në botë, ku frika e trazirave sociale dhe e papunësisë në rritje janë faktorët e rinj që po e komplikojnë rigjallërimin ekonomik.

"Mesazhi që marr nga Klaus Shuab dhe nga Forumi Ekonomik Botëror është se "po, ne mund t'ja dalim", u shpreh Farid Zakaria, një ndër moderatorët e njohur të Forumit.

Vitin e kaluar në Davos mbretëronte besimi se fuqitë e reja ekonomike, Kina, India, Rusia dhe Brazili mund t'i mbijetonin recesionit amerikan për shkak të potencialit të tyre. Por doli se kjo ishte e gabuar, thanë shumë analistë.

Sytë tani do të drejtohen te takimi i 20 vendeve më të fuqishme industriale që do të mbahet në muajin prill në Londër, ku udhëheqësit do të duhet të marrin vendime të vështira.//mm//